KLSH, raport për auditimin e ISSH-së

04/10/2013 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar raportin për auditimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore përgjate vitit 2012 ku, siç thotë KLSH, vihet re një përkeqësim i rezultatit financiar të këtij sistemi në vlerën 928,1 milionë lek humbje.

Në argumentim të thellimit të defiçitit të skemës së pensioneve, KLSH rendit të parën nivelin mjaft të ulët të numrit të kontribuesve, kontribute që mblidhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

34% të defiçitit në skemën e pensioneve e zënë kontributet e papaguara, veçanërisht të vetëpunësuarit në bujqësi, konstaton KLSH.

Raporti nënvizon më tej se, edhe shpenzimet e padrejta të ISSH-së kanë thelluar defiçitin vjetor të këtij institucioni.

Shkelje janë konstatuar edhe në vendimet e Komisioneve të Vlerësimit të Invaliditetit, të cilat kanë sjellë raste të shumta të informalitetit në dhënien e pensioneve të invaliditetit, me pasojë shtimin e padrejtë të shpenzimeve të kësaj kategorie.

Në përfundim, KLSH konstaton rritjen me ritme të shpejta, nga viti në vit, të defiçitit financiar të ISSH. Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon fillimin e një reforme të plotë ligjore, për të gjithë sistemin e Sigurimeve Shoqërore, ku të rishihet formula dhe  masa e kontributeve shoqërore.

Top Channel