Anastacia, mastektomi të dyfishtë

03/10/2013 02:30

Për Anastacia-n ka ardhur momenti më i vështirë. Pas mësimit të diagnozës gjatë shkurtit të kaluar, që sanksiononte
ripërsëritjen e kancerit të gjirit, nga i cili kishte vuajtur vite më
parë, këngëtarja ka dalë këto ditë nga spitali, pasi i është nënshtruar
një mastektomie (heqje të gjirit) të dyfishtë.

Në një mesazh për fansat e saj shfaqet sërish optimiste: “Ka qenë një udhëtim i gjatë, por ndihem mirë dhe e gatshme për të nisur një kapitull të ri”.

Këngëtarja kishte përjetuar një kalvar të ngjashëm në vitin 2003, duke iu nënshtruar sërish një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe radioterapie. Pas diagnozës së dytë, Anastacia ka anuluar turin europian, që kishte në program, duke nisur menjëherë kurat mjekësore për këtë problem.

Tashmë duket se është në dalje të “tunelit”, ku ishte futur rreth 8 muaj më parë, dhe përpiqet ta përdorë historinë e saj për t’i dhënë kurajo femrave të tjera.

“Muaji i ndërgjegjësimit rreth kancerit të gjirit i ofron të gjithë femrave të prekura nga kjo sëmundje, një mundësi për të rikuperuar forcat dhe për të mbështetur njëra-tjetrën, – tha ajo në mesazhin e saj. Diagnoza e hershme më ka shpëtuar jetën dy herë. Do të vazhdoj betejën dhe do të ngre zërin tim në të gjitha mënyrat e mundshme”.

Top Channel