Meta: Jemi për dialog, jo atentate

02/10/2013 00:00

Një ditë pasi akti normativ i qeverisë për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për shërbimin civil mbërriti në Kuvend, përfaqësues të lartë të mazhorancës kanë hedhur poshtë deklaratat e opozitës se vendimi ka qëllim spastrimin politik në adminisratë.

Kryeparlamentari Ilir Meta e argumentoi këtë me faktin se për aktin normativ janë thirrur për t’u konsultuar të treja grupet parlamentare të opozitës, të cilëve edhe në diskutimet në komisionet parlamentare dhe Kuvend do t’u jepet hapësira e plotë dhe do të kërkohet mirëkuptimi i saj për një nga ligjet më të rëndësishëm ne vend, tha Meta, duke kundërshtuar në këtë pikë kreun e opozitës, Basha, sipas të cilit konsensusit të disa muajve më pare iu bë atentat.

“Unë preferoj dialogun dhe jo atentatet. Përfaqësues të qeverisë kanë kërkuar dialog dhe kanë shprehur vullnetin për t’i bërë të ditur opozitës arsyet objektive, sipas qeverisë, që imponojnë këtë akt normativ. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk e ka zhvilluar një takim të tillë dhe mbase mungesa e njohjes me argumentat e karakterit teknik dhe ligjor shtyn në qëndrime të tilla, të cilat sidoqoftë nuk duhet të dominojnë këtë debat, i cili padyshim që do të jetë një debat aktiv”, deklaroi Meta.

Numri një i Kuvendit shprehu bindjen se procesin e integrimit nuk e cënon asnjë nismë e arsyetuar në mënyrë të shëndetshme dhe me qëllime pozitive, siç tha ai.

Ndërsa numri dy i qeverisë garantoi se mazhoranca nuk ka hequr dorë nga konsesusi me të cilin u miratua ligji. Niko Peleshi deklaroi se ishte qeveria paraardhese ajo që e bëri ligjin të pazbatueshëm. “Do të kryejmë vetëm ato akte nënligjore që nuk u bënë nga qeveria paraardhëse për ta bërë ligjin efektiv”, deklaroi zëvendëskryeministri.

Megjithëse mazhoranca ka mbërritur tashmë në 84 vota, duke e mundësuar pa opozitën miratimin e çdo ligji me shumicë të cilësuar, drejtuesit e lartë të saj garantuan se reformat e rëndësisshme do të ndjekin rrugën e konsensusit me të.

Ilir Meta shtoi në këtë pikë se shumë shpejt do të ngrihet një komision për hartimin e reformës administrative dhe territoriale, ku opozita do të jetë e ftuar të luaje një rol kyç.

Top Channel