Vijojnë emërimet e reja në administratë

01/10/2013 00:00

Kanë vijuar emërimet e reja të qeverisë Rama për drejtimin e institucioneve kryesore në vend. Elisa Spiropali, drejtuesja e FRESH, është emëruar në krye të doganave shqiptare.

E diplomuar në SHBA për shkenca politike dhe ekonomike, Spiropali vjen në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, duke marrë në këtë mënyrë edhe detyrën e saj të parë në adminstratën shqiptare.

Gjithashtu, një zonje i është besuar drejtimi i Tatimeve. Briseida Shehaj, anëtare e Asamblesë së Partise Socialiste, ka punuar deri më tani në sektorin bankar privat. Ajo është emëruar drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve.

Drejtimi i Postës Shqiptare i është lënë Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ardit Çela, sekretar për marrëdhëniet me publikun në LSI është emëruar administrator i përgjithshëm i këtij institucioni.

Ajo që bie në sy është mosha e re e krerëve të rinj të këtyre institucioneve. Një ditë më parë ishte Ministria e Energjitikes që njoftoi ndryshimet në drejtimin e disa shoqërive aksionere në varësi të këtij institucioni.

Kështu, në krye të KESH u emërua Agron Hetoja. Në krye të kompanisë Albpetrol u emërua Endri Puka, ndërsa në atë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Ëngjëll Zeqo.

Gjithashtu, ministri Damian Gjiknuri firmosi emërimin e Ardian Çelës si kryeinspektor në Inspektoriatin Qendror Teknik, Viktor Doda si drejtor i përgjithshem i Shërbimit Gjeologjik, Rrapush Tola drejtues i Repartit të Inspektimit të Shpëtim Minierave dhe Dael Dervishi si drejtor i Agjenicsë Kombëtare të Burimeve Njerëzore.

Top Channel