Rama: Reformë në drejtësi e KLD

01/10/2013 00:00

Në të parën konferencë shtypi online, në rrjetet sociale Twitter dhe Facebook, si kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama iu përgjigj dhjetra pyetjeve të qytetarëve.

Për çështjen më të nxehtë të ditës, atë të ligjit për nëpunësin civil, Rama tha se: “Ne nuk do të pastrojmë administratën nga njerëzit, por shtetin nga korrupsioni”.

Shqetësimit të qytetarëve për sistemin e drejtësisë Rama i dha këtë përgjigje: “Shumë shpejt nis punën një grup ekspertësh për të çuar më tej reformën në drejtësi”.

Ndërsa për situatën ekonomike në vend shefi i qeverisë shqiptare mendon se: “Kriza e ekonomisë dhe financave të vendit është e thellë. Po përgatitemi për një ndërhyrje radikale. Do ta kapërcejmë së bashku”.

Rama theksoi se formalizimi i ekonomisë do të jetë objekt i palëvizshëm i perpjekjes sonë. Pjesë e pyetjeve ishte edhje çështja e monopoleve në vend, përfshirë atë të kompanisë ajrore ‘BelleAir’.

“Goditja e monopoleve është pjesë e programit tonë. ‘BelleAir’ ka një pozicion të privilegjuar dhe problematik në treg”, u përgjigj Rama.

Shumë pyetje Ramës iu drejtuan edhe për arsimin. “Nëpër shkolla nuk do të ketë aktivitete tregtare. Kanë rezultuar shumë problematike dhe në dëm të cilësisë së shkollës. Mësuesit s’janë të partisë por të fëmijëve e nxënësve të Shqipërisë! Koha e ngjyrimit politik të mësuesve ka mbaruar”, theksoi Rama.

Përsa i përket ndërtimve pa leje në Vlorë, Rama deklaroi: “Qeveria ka bërë gati bazën ligjore për një ndërhyrje të fortë kundër ndërtimeve pa leje”.

Ndërsa në lidhje me vendimin për shkrirjen e Gardës së Republikës ai tha: “Garda e Republikes është strukturë qe s’e ka shoqen në botën bashkëkohore. Shkrirja e saj është nevojë strukturore e shtetit”, ishte përgjigja e Ramës për këtë insitucion.

Sipas tij, vendosja e rendit dhe sigurisë në vend është prioritet dhe shqiptarët do të kenë shumë shpejt një polici tjetër.

Në lidhje me shëndetësinë, Rama theksoi se puna do të vijojë deri sa shqiptarët të kenë një shërbim normal. Kryeministri u pyet edhe për zhvillimet në Maqedoni.

Ai tha se jep mbështetjen e plotë për “vëllezërit shqiptarë atje” dhe se qeveria mbetet e shqetësuar për moszbatimin e marrëveshjeve atje.

Top Channel