PD reagon për vendimet e qeverisë

01/10/2013 00:00

Partia Demokratike akuzoi qeverinë e re dhe kryeministrin Rama se po shkatërron institucionet e rëndësishme të vendit.

Në një konferencë për mediat, deputeti demokrat Sherefedin Shehu iu referua shkarkimit të bordit të INSTAT-it, duke theksuar se me këtë vendim kryeministri Rama synon të ketë gjithçka nën kontroll.

“Edi Rama ka një qëllim afatgjatë, që është fshehja e të vërtetave të sotme dhe manipulimi i të vërtetave të nesërme. Me këto veprime, Edi Rama s’bën asgjë tjetër vetëm se po u thotë shqiptarëve që edhe statistikat e shtetit do t’i bëj unë”, deklaroi Shehu.

Ndërsa deputeti tjetër demokrat Florion Mima deklaroi se anulimet e konçesioneve nga qeveria socialiste janë nje sulm i hapur ndaj biznesit dhe lë shteg për korrupsion.

“PD ka qenë e para që e ka inkurajuar qeverinë e re që të investigojë konçesionet dhe privatizimet. Por fakti që qeveria e re zgjedh direkt rrugën e anulimit mbi motive të pabaza, ne kemi arsye të forta të besojmë se synimi është që subjektet e pezulluara dje dhe ato që do të pezullohen nesër të fillojnë të vendosin kontakte me elementë pranë zyrave të qeverisë”, deklaroi Mima.

Një ditë më parë qeveria Rama anuloi një sërë vendimesh të marra pas zgjedhjeve të 23 qershorit nga qeveria e demokratëve, mes të cilave dhe lejet konçesionare për ndërtimin e 7 hidrocentraleve të vogla.

Top Channel