Bumçi: Rama, fushatë spastrimi në administratë

01/10/2013 00:00

“Edi Rama ka nisur një fushatë spastrimi në administratë. Gjatë këtyre ditëve janë pushuar nga puna 6 konsuj tanët në kohën që kryeministri ishte në avion.”

Kështu është shprehur Aldo Bumçi, deputet i Partisë Demokratike dhe ish-ministër i jashtëm, duke akuzuar kryeministrin Rama se po “denigron” shërbimin e jashtëm shqiptar.

“Këto ditë janë pushuar nga puna disa punonjës të shërbimit të jashtëm, ndërkohë që kryeministri ishte në avion. Shërbimi i jashtëm po trajtohet në mënyrë denigruese. Është një dëm shumë i madh që po i bëhet imazhit të Shqipërisë me largimin e 6 konsujve”, deklaroi Bumçi.

“Kryeministri duhet të analizojë punën e shërbimit të jashtëm e pastaj të marrë vendime pasi bëhet fjalë për një administratë që përfaqëson Shqipërinë në Botë. Rama e ka paragjykuar gjithmonë shërbimin tonë të jashtëm edhe pse sot vendi ynë ka një vend të barabartë në tryezën e NATO-s dhe është në dyert e BE-së”, shtoi Bumçi.

Top Channel