Arvizu, Qytetar Nderi i Elbasanit

30/09/2013 00:00

Ambasadorit amerikan Aleksander Arvizu iu dorëzua titulli “Qytetar Nderi” i Elbasanit. Me propozim të kryetarit të Bashkisë Qazim Sejdini dhe me miratimin e Këshillit Bashkiak, ambasadorit Arvizu iu akordua titulli “Qytetar Nderi” me motivacionin “Për kontribut në zhvillimin e komunitetit të Elbasanit dhe ndërtimin e urave të mirëkuptimit mes dy popujve tanë”.

Përveç falenderimeve dhe emocioneve për marrjen e këtij titulli, ambasadori amerikan nuk la pa përmendur edhe disa porosi të fundit për popullin shqiptar përpara largimit nga vendi. Në bazë edhe të nismës që Ambasada Amerikane lançoi në Shqipëri “Act Noë” , Arvizu u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që t’i përdorin qeveritarët e tyre si llogaridhënës.

“Roli i shoqërisë civile dhe i qytetarëve të zakonshëm është i rëndësishëm në shëndetin e secilës demokraci. Por, në një shoqëri me demokraci në zhvillim të shpejtë si Shqipëria, angazhimi qytetar është absolutisht jetik. Shqipëria po bën përparim të pamohueshëm e të pagabueshëm, por vazhdimi i reformave qeverisëse është thelbësor. Ka një nevojë jetike për të përmirësuar situatën financiare të qeverive vendore dhe një pjesë e madhe e kësaj përgjegjësie mbetet mbi qeverisjen qendrore, veçanërisht në përmirësimin e mënyrës sesi mblidhen dhe sesi ndahen të ardhurat. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme që qeverisja vendore të përmirësojë eficencën e saj, të zvogëlojë humbjet dhe klientelizmat dhe të përqendrohet në të shërbyerit e qytetarëve”, theksoi Arvizu.

Në ceremoninë e nderimit të ambasadorit amerikan përshëndeti në emër të qeverisë edhe zv.kryeministri Niko Peleshi, i cili vlerësoi kontributin e ambasadorit Arvizu në Shqipëri. Ishin gjithashtu të pranishëm në këtë ceremoni edhe deputetët e PS-së, PD-së dhe LSI-së, ministrat Haxhinasto dhe Gjiknuri si dhe pushtetarët vendorë.

Top Channel