Apeli i nënës 30-vjeçare

29/09/2013 00:00

Ajo është një grua 30 vjeçe, po me shumë probleme shëndetësore dhe ekonomiko-sociale.

Ka një fëmijë tetraplegjik dhe një tjetër autik, ndërsa bashkeshorti është i papunë.

Si të mos mjaftonte gjendja shëndetësore e fëmijëve që kërkojnë kujdes të veçantë, familja Murrizi në Durrës është e pastrehë.

Ecejaket në dyert e institucioneve lokale nuk kanë të sosur, ndërsa merr vetëm premtime deri më sot të pambajtura. Mungesa e parave ia bën të pamundur ndjekjen e së drejtës në rrugë gjyqësore.

Problemet e saj nisën atëherë kur u bë nënë për herë të parë, për t’u rënduar dhe më tej me lindjen e djalit tjetër.

Xhoi është hidrocefalik, ndërsa djali tjetër, Henri 6 vjeç është diagnostikuar me autizëm.

Së fundmi, Murrizët rrezikojnë dhe të nxiren jashtë shtëpisë ku jetojnë me qera.

Ndonëse ka kaluar dy parainfarkte dhe një paralizë, Bukuria nuk dorëzohet dhe pse shpesh barra e rëndë e jetës dhe mungesa e mbështetjes e kanë çuar drejt idesë për t’i dhënë fund jetës.

Pastaj sheh fëmijët e saj dhe vendos të apelojë publikisht për ndihmë, pasi të vetëm ndjehen të humbur.

Top Channel