Shpronësimet për gazsjellësin TAP

25/09/2013 00:00

Një takim me banorët e fshatit Pilur të komunës së Progrit në rrethin e Devollit ka qenë takimi i parë që kompania TAP ka ndërmarrë sa i takon vënies në zbatim të projektit të gazsjellësit që do të kalojë në këtë zonë.

Banorët të cilëve u preken tokat dhe të mbjellat e tyre nga ky projekt kanë pasur mundësinë të diskutojnë për shqetësimet e tyre, por edhe të njihen me detaje të mëtejshme të projektit dhe përfitimet që sjell ai.

Përfaqësuesit e TAP-it kanë garantuar kompensim të sipërfaqeve që do të merren në përdorim ose do të blihen, që sipas tyre do të bëhet para fillimit të punimeve.                                    

Bledi Ceka, përfaqësues i TAP-it, theksoi: “Hapi i parë është realizimi i censusit dhe i inventarizimit të aseteve. Me fjalë të tjera, do të regjistrohen të gjithë personat që do të preken nga projekti. Do të përllogariten më pas shumat individuale të kompensimit, do të përgatiten dokumentat ligjorë dhe kontratat. Kompensimi do të bëhet përpara fillimit të punimeve.”    
                 
Tubacionet e gazit do të shtrihen larg zonave të banuara, ndërsa do të vendosen në një thellësi prej 1 metër nën tokë.  

Gjatë këtij takimi, banorët e këtij fshati ku pritet të kompensohen 85 familje, kanë vlerësuar përfitimet nga zbatimi i projektit, por kanë kërkuar që të kompensohen në vlerën reale dhe jo më pak nga sa iu takon.

Top Channel