Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së martës në Derviçan të Gjirokastrës, ku dy të rinj mbetën të plagosur nga të shtënat e armëve që erdhën nga fshati Lazarat nuk është e vetmja.

Fshati, i njohur për kultivimin e më shumë se 40 për qind të marijuanës që trafikohet jashtë Shqipërisë, kërcënon vazhdimisht banorët e rrethinave të qytetit dhe fshatrave përreth, duke shkaktuar klimë terrori përgjatë orëve të natës.

Ndonëse banorët e lagjeve periferike dhe të sipërme të Gjirokastrës kanë denoncuar në polici të shtënat në oborret dhe banesat e tyre, askush nuk ka ndërhyrë për t’i mbrojtur ata.

Pamundësia e shtetit për të ndërhyrë në Lazarat ngre dyshime se persona të caktuar duan që zona të mos preket dhe kultivimi i lëndës narkotike të vazhdojë.

Stuhia e të shtënave bëhet më intensive në periudhën e korrjes dhe ambalazhimit në fillim të vjeshtës, ndërsa fshati vazhdon të grumbullojë të gjitha rezervat e armëve të ‘97-s për të siguruar mbrojtjen nga ndonjë kërcënim potencial.

Paprekshmëria e Lazaratit ka sjellë trafikimin e tonelatave të marijuanës drejt vendeve fqinje, ndërsa sasitë e sekuestruara janë shumë më të vogla se ato që përfundojnë në duart e tregtarëve në vendet fqinje.

Për vitin 2012, policia e Gjirokastrës ka ndërmarrë 60 operacione dhe ka sekuestruar në total për vitin 2012 rreth 8.151 kg marijuanë.

Operacioni më i madh ishte ai i 20 tetorit të këtij viti, kur policia sekuestroi brenda një çisterne që udhëtonte drejt Greqisë 3.360 kg marijuanë me origjinë Malësinë e Krujës.

Ndërsa nuk kanë qenë të pakta edhe rastet e përplasjes së uniformave blu me trafikantët që tentonin të mbronin sasitë e drogës që po transportonin.

Top Channel