Fushata kundër ndërtimeve pa leje

25/09/2013 00:00

Kryebashkiakët e Vlorës dhe Elbasanit reaguan ndaj paditjes së nëpunësve të bashkive në lidhje me ndërtimet pa leje. Në Vlorë policia ka paditur 9 zyrtarë të bashkisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Por kryebashkiaku Shpëtim Gjika thotë se kjo është vetëm një show.

“Bashkia e Vlorës, me firmën time dhe me propozim të Inspektoriatit të Bashkisë dhe Policisë Bashkiake ka dorëzuar në Prokurorinë e Rrethit 185 kallëzime penale për ndërtimet pa leje.

Eshtë çuar vetëm një rast për shqyrtim në gjykatë, janë pushuar 5 çështje nga prokuroria dhe 179 kallëzime penale janë në sirtarët e prokurorisë.

Të gjitha këto proçedime që bën policia janë të mbuluara prej kohësh nga proçedurat ligjore deri në kallëzim penal dhe në vendim për prishje nga ana e inspektoriatit. Pra, sot Policia e Shtetit nuk po bën gjë tjetër veçse po dublon punën e Bashkisë.

Prioriteti i parë është që Policia e Shtetit të vihet në bashkëpunim me strukturat e Policisë Bashkiake dhe të Bashkisë Vlorë dhe së dyti të ketë një angazhim më konkret për t’u rakorduar, me qëllim që kallëzimet që janë bërë njëherë nga Bashkia dhe Inspektoriati të mos bëhen për herë të dytë nga policia thjesht për show apo për mediat”, ka deklaruar Gjika.

Bregdeti i Vlorës është prekur rëndë nga ndërtimet dhe kjo po ndodh edhe në qytet. Policia e Shtetit ka njoftuar disa herë aksione për sekuestrime, ndalime dhe dërgim për ndjekje penale të personave përgjegjës që ndërtojnë, por edhe të institucioneve që i kanë lejuar.

Ndërkohë, edhe në bashkinë e Elbasanit ka nënpunës të paditur penalisht. Kryebashkiaku Qazim Sejdini në mbledhjen e Këshillit Bashkiak akuzoi Inspektoriatin Urban Ndërtimor Kombëtar dhe ironizoi duke thënë se ndërtuesit janë amnistuar.

“Bëj me dije që ky është një denoncim i padrejtë që nisi në Tiranë dhe që pasi shëtiti në Elbasan dhe nuk mori dot para nga bashkia dhe inspektoriati, iu drejtua prokurorisë dhe njeriu sot për mosveprim është në gjykim. Por bëj me dije se çuditërisht merren në gjykim inspektorët dhe jo ata që kanë ndërtuar pa leje e që kanë ushtruar presion. Më e bukura është se në të gjitha denoncimet që ne kemi bërë është thënë se ndërtuesit i ka kapur amnistia”, ka thënë Sejdini.

Fenomeni i ndërtimeve pa leje ka prekur shumë qytete dhe javët e fundit në aksionin kundër tyre është angazhuar edhe Policia e Shtetit. Ndjekje penale për bashkiakët paralajmëroi edhe kryeprokurori Adriatik Llalla, gjatë një vizite që bëri dy ditë më parë në Vlorë.

“Përgjegjësia nuk është vetëm e personave që ndërtojnë në mënyrë jo të ligjshme, por më së tepërmi, përgjegjësia i takon atyre zyrtarëve lokalë, të cilët kanë lejuar ndërtimin e objekteve në mënyrë jo të ligjshme”, deklaroi Llalla.

Top Channel