Vranë babë e bir, identifikohen pesë autorët

24/09/2013 00:00

Pas më tepër se një viti, policia e Shkodrës
ka deklaruar se ka zbardhur dhe identifikuar autorët e vrasjes së
Frederik dhe Jurgen Markut, babë e bir, të ekzekutuar më 30 gusht të
vitit të kaluar.

Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë me dije se të dyshuarit e vrasjes së babë e bir janë: A.Doçaj 32 vjeç, L.Martini 29 vjeç, E.Boka, 32 vjeç, A.Prebibaj, 30 vjeç dhe L.Nika, 32 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia.

Më herët policia e Shkodrës akuzoi dhe ndaloi 25-vjeçarin Leonard Nika, i cili u mbajt në burg për 2 javë, por më pas u la i lirë për shkak se organi i akuzës dhe policia nuk arritën të siguronin prova për të vërtetuar fajësi bindëse. Në këto kushte trupi gjykues vendosi pushimin e çështjes ndaj 25-vjeçarit dhe ai u la i lirë.

Pasditen e datës 30 gusht 2012, Frederik dhe Jurgen Marku, babë e bir, kanë rënë pre e një atentati në Shkodër. Viktimat po lëviznin me automjetin e tyre, kur në afërsi të spitalit të qytetit janë qëlluar nga një breshëri automatiku. Për pasojë, 46-vjeçari Frederik Marku, i cili po drejtonte automjetin, ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa i biri, Jurgeni, ka ndërruar jetë pak ditë më pas në spitalin e Shkodrës. Shkak i ngjarjes është bërë një sherr i momentit në datën 29 gusht 2012 fshatin Theth të Dukagjinit, ku viktimat kishin nisur ndërtimin e një hoteli në zonën turistike. Jurgen Marku është grindur dhe përplasur fizikisht me një shokun e tij. I ati ka ndërhyrë duke goditur me qytë pistolete të riun. Pas ngjarjes, të dyja palët janë shoqëruar në polici, ku kanë qëndruar gjithë natën dhe janë nxjerrë nga policia pas procedurave të kryera në komisariat, por vetëm dy orë pasi kanë dalë nga ambientet e policisë, palët në konflikt kanë vazhduar sherrin, duke e qëlluar për vdekje Frederik dhe Jurgen Marku.

Top Channel