Fiks Fare, ndërtimet pa leje në Tiranë

24/09/2013 00:00

Para, gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit në gjithë vendin nisi një valë ndërtimesh pa leje që përfituan nga pasiviteti i autoriteteve për t’i ndalur ato.

Më të prekura ishin zonat bregdetare dhe ndërtimet në kryeqytet. Fiks Fare u përqendrua sërish në këtë temë në kryeqytet, ku vec shtesave të pallateve, nuk mungojnë as godinat shumëkatëshe të ndërtuar krejtësisht jashtë cdo rregulli dhe pa leje.

Mes tyre Fiks Fare identifikoi një pallat në Qytetin Studenti, një tjetër në afërsi të Fakultetit Ekonomik për të cilën edhe protestuan studentë e pedagogë të këtij fakulteti. Por ndërsa në këto dy godina puna është ndërprerë pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, në godinën shumëkatëshe në Qytetin Studenti, kamera e Fiks Fare filmoi punonjësit që vazhdonin punën të pa shqetësuar në mes të ditës.

Kjo zonë përfshihet në Njësinë Bashkiake Nr.2 që drejtohet nga Elez Gjoza. Vetë ky i fundit thotë se zona ka rreth 60 përqind të ndërtimeve informale, ndërsa për godinat e ngritura së fundmi fajëson Policinë Bashkiake.

“Njësia Bashkiake Nr.2 është njësia më e madhe e Tiranës që ka 60 përqind të ndërtimeve të saj informale dhe për këtë ka ndikuar edhe pasiviteti i Policisë Bashkiake”, tha ai.

Top Channel