Kule mbështet Ekonomikun

16/09/2013 00:00

Ka zgjedhur ditën e parë të fillimit të mësimit të arsimit parauniversitar, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, për të dalë vetë publikisht në mbështetje të vendimit për bojkot pa afat të aktivitetit mësimor në Fakultetin Ekonomik, si protestë për uzurpimin e territorit të shkollës nga ndërtimet private.

Në krah të stafit pedagogjik edhe të fakulteteve të tjera dhe përballë studentëve, rektori i Universitetit të Tiranës deklaroi se mbështet këtë vendim pasi fenomeni është masiv.

“Shqetësimi është masiv, shteti nuk po respekton ligjin e arsimit të lartë për paprekshmërinë e shkollës. Nëse s’e bën shteti është detyra jonë ta mbrojmë”, deklaroi Kule.

Rektori Kule ka kundërshtuar deklaratat e Bashkisë së Tiranës për mosndërhyrjen në ndertesën në krah të fakultetit, si i ligjshëm. “Komentet juridike nga bashkia janë pa vlerë”, theksoi Kule.

Rektori e vuri theksin edhe tek uzurpimi i territorit të përcaktuar për kampusin universitar, aq i pritur nga Universiteti i Tiranës si zgjidhje përfundimtare për sistemimin infrastrukturor të tij, tha ai, duke siguruar studentët se beteja për t’i dhënë fund njëherë e mirë uzurpimeve dhe ndërtimeve në ambjentet e shkollave do fitohet.

Javën e kaluar, në një mbledhje urgjente, Senati Akademik i UT u shpreh në mbështetje të protestave të studentëve e pedagogëve të Fakultetit Ekonomik kundër uzurpimit të hapësirave akademike. 

Top Channel