Shoqatat e biznesit kundërshtojnë zbatimin masiv të taksës progresive
mbi fitimet e sipërmarrjes, por janë në një zë kur mbështesin vendosjen e
saj për kompani të caktuara.

“Ne mendojmë që taksa progresive duhet të aplikohet për ndërmarrje të mëdha që kanë përfituar pozita monopol ne treg për shkak të licensave, për shkak të klientelës, për shkak të mungesës së kontrollit nga ana e  rregullatorëve të tregut, absolutisht jemi dakord”, thotë Luan Bregasi nga “Biznes Albania”.

Edhe Gjergj Buxhuku që përfaqëson interesat e bizneseve prodhuese ndan të njëtin mendim. Ai mendon se taksa progresive duhet të zbatohet vetëm mbi ato biznese që plotësojnë dy kushte.

“Së pari, mbi faktin nëse këto kompani punojnë në kushte të priviligjuara nga ana e shtetit me licensa, koncesione, pra punojnë në kushte të mungesës së konkurrencës së lirë dhe së dyti, që të kenë një normë fitimi më të madhe se sa norma e fitimit mesatar të realizuar nga ekonomia shqiptare në vitin paraardhës”, thotë Buxhuku.

Sipas tij, zbatimi i gjerë i tatimit progresiv mbi fitimin do të kishte pasoja të thella negative në ekonominë shqiptare.

“Nëqoftëse do të ruhet tatimi prej 10 përqindësh, pra ky tavan, atëherë është e mirëpritur çdo politikë progresive taksore brenda këtij tavani. Në rast se nuk do të ruhet, atëherë ne rrezikojmë që të bëhemi një vend jokonkurrencial me të gjitha vendet e rajonit, përsa i përket thithjes së investimeve kryesisht të huaja”, thotë Buxhuku.

Grupet e biznesit tashmë janë njohur edhe me programin e Qeverisë së re. Luan Bregasi e cilëson atë si pozitiv, duke veçuar pjesën për partneritetin publik privat, për të cilin ai shpreson se më në fund do hyjë në rrugë ligjore, jo si deri më tani.  

“Sigurisht që këtu partneriteti publik privat në të kaluarën është zëvendësuar me partneritin publik klientelë, që do të thotë që bashkëpunimi ka qenë po ka qenë për një klientelë të caktuar, e cila mjaft koncesione, mjaft punë, mjaft burime energjetike, minerare kanë kaluar në duar të individëve të vecantë. Një partneritet i gjerë, i cili bëhet mbi bazën e një konkurrence korrekte, përfshin gjithë spektrin e sipërmarrjes private, atëherë suksesi është më i sigurt, konkurrenca është më e madhe, tregu është më i hapur dhe vendet e punës janë absolutisht më të sigurta”, tha Bregasi.

Top Channel