Presidenti i përkohshëm i Egjiptit shtyu gjendjen e emergjencës kombëtare për 2 muaj të tjerë, duke ruajtur fuqi më të mëdha për forcat e sigurisë, pas goditjes së mbështetësve të presidentit të rrëzuar, Mohammed Morsi, dhe dhunës së shtuar nga militantët islamik.
Gjendja aktuale e emergjencës, e caktuar prej afro 1 muaji, pritej të skadonte për pak ditë. Ajo u deklarua fillimisht në mesin e muajit gusht, pasi autoritetet bastisën dy kampet e protestuesve, mbështetës të Morsi-t, duke përdorur edhe dhunën, nga e cila mbetën të vrarë rreth 1000 vetë në ato ditë.
Që prej atëherë, shtetrrethimi gjatë natës ka qenë në fuqi në pjesën më të madhe të vendit. Qeveria e përkohshme do të vendosë veçmas nëse do të vazhdojë shtetrrethimin apo jo. Kryeministri i përkohshëm, Hazem el-Beblaëi, tha se shtetrrethimi, i cili tashmë zgjat për rreth 7 orë gjatë natës, pritet të lehtësohet.
Qeveria shpalli masat e reja që synojnë lehtësimin e ngërçit ekonomik, si një sinjal se ajo po përballet me problemet e vendit, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme të sigurisë.
Masat përfshijnë lehtësime për familjet me të ardhura të ulta, në lidhje me shpenzimet shkollore dhe reduktimin e kostove të transportit publik. Ato përfshijnë gjithashtu injektimin e një buxheti ndihmës prej 3,1 miliardë dollarë, që do të shpenzohet në projekte infrastrukturore dhe gjenerimin e vendeve të punësimit, që sipas qeverisë do të shtojë rritjen ekonomike nga 2% aktualisht në 3,5%.
Shpenzimet do të financohen kryesisht nga paratë e dhëna nga vendet e Gjirit, pas rrëzimit të Morsi-t më 3 korrik, tha qeveria.
Top Channel