“Bashkëqeverisje strategjike”

13/09/2013 00:00

Kryeministri i sapozgjedhur i Shqipërisë është pritur me nderime të larta shtetërore në viziten e tij të parë në Kosovë. Në sheshin kryesor të Prishtinës, “Ibrahim Rugova”, ishte rreshtuar Garda e Nderit e Republikës së Kosovës dhe ceremonia solemne nisi me mirëseardhje nga kryeministri Hashim Thaçi.

Më pas, të dy kryeministrat zhvilluan një takim kokë më kokë në selinë qeveritare të Prishtinës. Një përbërje prej dhjetë anëtarësh të kabinetit qeveritar shqiptar më pas zhvilloi një takim me kabinetin qeveritar të kryeministrit Thaçi.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë deklaruan se ranë dakord për fillimin e një bashkëqeverisjeje strategjike mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke nisur nga mbledhjet e përbashkëta të dy ekzekutiveve.

“Që do të thotë se koha kur qëllimet e mira dhe objektivat e shkruara janë pasuar nga punë të lëna përgjysmë do t’ia lënë vendin një kohe kur ato do të bëhen në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, me ministra që do të japin llogari para dy qeverive për detyrat e rëna dakord bashkarisht. Besoj se kjo do sjellë rezultate dhe do bëjë që dy qeveritë të çojnë përpara bashkëpunimin”, deklaroi Rama.

Nga ana e tij, kryeminsitri Thaçi kërkoi nga qeveria Rama që të intensifikojë lobimin për njohjet ndërkombëtare për Kosovën. Thaçi theksoi rëndësinë dhe interesin që ka Kosova për t’u përfshirë në rrjetin e gazsjellësit TAP, sikurse edhe rëndësinë e projekteve të tjera me rëndësi ekonomike, si përmbyllja e interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri.

“Me interes diskutuam rëndësinë që Kosova të kyçet në rrjetin TAP dhe mora premtimin nga Rama se do angazhohet posaçërisht për këtë. Ndërsa ramë dakord që të punohet në mënyrë më aktive për përmbylljen e projektit të interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri. Kosova i ka plotësuar detyrimet e veta dhe besoj se edhe Shqipëria do t’i kryejë së shpejti”, deklaroi Thaçi.

Dialogu i Kosovës me Serbinë, veçanërisht marrëveshja e 19 prillit, nuk është anashkaluar në bisedat dy kryeministrave. Kryeministri Rama përgëzoi autoritetet kosovare se kanë arritur të përmbyllin kapitullin e errët mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është një marrëveshje që ka mbyllur përfundimisht historinë e përgjakshme dhe inertësinë paralizuese të ish-Jugosllavisë. Ajo ka kthyer para nesh faqen e një historie të re, që varet nga ne se si do të shkruhet. Si një histori kur paqja do të sjellë zhvillim për të gjithë ne”, theksoi Rama.

Miqësia që ekziston prej vitesh mes Thaçit e Ramës u vu në dukje edhe këtë herë. Kryeministri i Kosovës disa herë iu referua zotit Rama me fjalën “mik”, gjë kjo që nxiti pyetjen e gazetarëve për të krahasuar qasjen e zotit Thaçi ndaj kryeministrit turk Erdogan, të cilin e ka quajtur “vëlla”. “Edhe unë mund ta quaj vëlla, sepse vëllai i vëllait tim është edhe vëllai im”, u shpreh Rama.

Axhenda e delegacionit shqiptar vijoi me takimet që zoti Rama zhvilloi me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.

“Të unifikojme axhendën shqiptare”
Rama flet para deputetëve në Prishtinë, akuza Maqedonisë

“Ti kthejmë kufijtë në vija të padukshme për të gjithë shqiptarët”. Kjo ishte fjalia, përmbajtja e së cilës e shoqëroi fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Kuvendin e Kosovës. Ai iu drejtua deputetëve kosovarë me zotimin se do të punojë për unifikimin e gjithë hapësirës shqiptare.

“Nuk jam këtu për vazhdimin e retorikës së dashurisë ndaj shtetit amë, ndaj shtetit bijë, por për zhvillimin e një aleance strategjike, themelore dhe kryesore mes të barabartësh mes Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i kthyer mundësitë e jashtëzakonshme të kohës së re në sukses e zhvillim në rrugën e bashkuar të Europës. Kufiri është e djeshmja, e ardhmja s’ka kufij. Që e djeshmja të mos na kushtëzojë të ardhmen ka vetëm një gjë për të bërë me vijën e padukshme të kufirit: të mos e shohim këtë vijë”, deklaroi Rama.

Në fjalimin e tij Rama nënvizoi gatshmërinë e qeverisë shqiptare për të forcuar normalizimin e raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve, sidomos pas marrëveshjes së 19 prillit, e cila siç u theksua disa herë ka shënuar fillimin e një epoke të re. Ai po kështu theksoi se qeveria e tij do të angazhohet për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Maqedoni.

“Gatishmëria jonë ka të bëjë me përpjekjet dhe punën tonë të përbashkët për të jetësuar një politikë të qartë në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në rajon. Parësore janë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, rasti i të cilëve është shumë shqetësues, pasi nuk respektohen marrëveshjet e bëra në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Më tej është respekti për vetëveten që ekziston tek ne si i pandashëm, me respektin e aleatëve strategjikë që na bën t’i japim energji trajektimit të duhur edhe të çështjes çame, natyrisht sipas traktatit të miqësisë”, nënvizoi Rama.

Rama mori shkas nga problemet me eksportin e patataes kosovare drejt Shqipërisë për të dhënë premtimin se probleme të kësaj natyre nuk do të përsëriten. Kryeministri shqiptar foli dhe për përafrimin e aktiviteteve kulturore, sportive dhe atyre arsimore.

“Mbetet i paharrueshëm për mua rrëfimi i një prindi në Preshevë: “Kur shihja në fillim ‘Portokallinë’ në Top Channel nuk kuptoja asgjë. Më pas nisi të ma shpjegojë fëmija im që e kapi shumë shpejt shqipen tuaj”. Mbresëlënës ishte Dokufesti në Prizren, që më falni për injorancën time, por e mora vesh vetëm këtë vit që ekziston. Ne nuk kemi, miq të dashur, luksin që të mos dijmë se çfarë ndodh andej apo këtej kur vjen puna për aktivitetet kulturore apo artistike”, theksoi Rama.

Ky fjalim i gjatë i kryeministrit të Shqipërisë, të cilin e nisi duke cituar Rexhep Qosen dhe e përfundoi me fjalën përshëndetëse të Faik Konicës, nuk kaloi pa u komentuar nga përfaqësues të partive në opozitë.

Me kritika negative u shfaq Lidhja Demokratike e Kosoves për sa i përket faktit që Edi Rama në fjalimin e tij nuk e ka përmendur kontributin që presidenti Ibrahim Rugova ka dhënë në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri tha se Rama me vetëdije e ka anashkaluar këtë, duke shtuar se diçka e tillë le të mbetet në ndërgjegjen e kryeminsitrit të ri të Shqipërisë.

Top Channel