“Ne modelet prishim imazhin e bukurisë femërore”

12/09/2013 18:35

Një prej modeleve më të tonifikuara e të famshme, Doutzen Kroes, pranoi se koleget e saj janë përgjegjëse për prishjen e imazhit të asaj që duhet të konsiderohet bukuri femërore, sidomos midis adoleshenteve.

Modelja 28-vjeçare, në një intervistë për “The Telegraph” pranoi se moda ka promovuar prej kohësh vajzat e dobëta përtej normalesh, duke shtyrë gjithmonë e më shumë të reja të dëmtojnë shëndetin e tyre, duke dashur që t’i ngjasojnë atyre.

“Unë nuk kam qenë asnjëherë e shqetësuar më shumë seç duhet për linjat. Megjithatë, e di që në disa programe apo sfilata kërkohet prej vajzave që të ndryshojnë tërësisht pamjen e tyre, ijet, gjoksin dhe kjo më duket e papranueshme. Unë jam 28 vjeç dhe kam lindur një fëmijë”, deklaroi “ëngjëlli” i “Victoria’s Secret”.

“Ndiej që kam një trup të vërtetë femre dhe mbi të gjitha ndihem super e shëndetshme. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Nëse ata mendojnë që jam shumë e shëndoshë, do të preferoja të merresha me diçka tjetër sepse jam e lumtur në këtë mënyrë. Sinqerisht, ndonjëherë befasohem kur gjatë sfilatave shoh modele, të cilat mbajnë rroba që mund të ishin të përshtatshme për një 13-vjeçare”, shtoi holandezja.

Top Channel