Edicioni i pestë i “Prifest”

12/09/2013 00:00

Festivali Kosovar i Filmit “PriFest” në edicionin e tij të pestë do të nisë më 20 shtator me 49 filma të metrazhit të gjatë dhe të mesëm apo 4500 minuta program filmik nga Rusia, Polonia, Gjeorgjia, Norvegjia, Tunizia, Franca etj.

Në programin FOCUS, e veçanta e këtij edicioni do të jetë kinematografia e Amerikës Latine, me 5 filma nga Brazili, Argjentina, Kili, Kolumbia dhe Peruja. Festivali hapet me premirerën botërore të filmit “Ne të tre”.

Vjosa Berisha, drejtoreshë e “PriFest”, shprehet: “Kemi nderin e madh që t’i japim hapësirë regjisores së re Blerta Basholli me filmin “Ne të tre”. Kosova ka një specifikë në kinematografi: ka shumë femra regjisore të cilat po korrin sukses edhe në festivale ndërkombëtare.”

Këtë vit festivali ka gjetur mbështetjen e kompanisë Digitalb, që do të jetë sponsor i artë i festivalit, bashkë me kompaninë Ipko.

Agim Poçari, drejtor i programacionit në Digitalb, theksoi: “Regjisorët kosovarë duhet ta shohin Digitalb-in si një dritare ku mund të transmetojnë pasi Digitalb-i nuk është i Shqipërisë apo i Kosovës, por i të gjithë shqiptarëve që jetojnë nëpër Europë.”

Ndërsa, Alban Kastrati nga Ipko nënvizoi: “Qëllimi është të mbështesim kulturën e Kosovës.”

“Prifest” do të zgjasë deri më 27 shtator dhe do të ketë një juri ndërkombëtare të përbërë nga profesionistë të filmit, producentë, përfaqësues të festivaleve e përzgjedhës të filmave.
 

Top Channel