Përshtypjet e kritikës për “Ballkoni”

09/09/2013 00:00

Tapeti i kuq në festivalet e mëdha si Bienalja e Venecias, për filmbërësit nga Kosova është eksperiencë e cila vazhdon të jetë ëndërr.

Puna e regjisores Lendita Zeqiraj, me filmin “Ballkoni” bëri të mundur që filmi të ketë premierën në të njëjtin vend ku kishte premiera të projekteve madhore si ajo e GRAVITY me role të realizuara nga George Clooney dhe Sandra Bullock.

Teknika që u punua filmi konsiderohet si një ndër teknikat më të vështira të filmit, me plan të pandërprerë, si një ndër elementët që u vlerësua nga kritikët e filmit dhe publiku.

“Isha e befasuar kur pashë filmin, fillimisht për shkak të teknikës sepse nuk është e lehtë për t’u realizuar, si xhirim me plan të pandërprerë dhe me aq shumë aktorë dhe natyrisht është një lloj performacë që vetëm mjeshtri i filmit, Sakuro ka patur sukses”, thotë Michele Levieux, kritike.

Menjëherë pas shfaqjes së parë të filmit nga gjithsej 3, filmi zgjoi interes të madh, duke bërë që producenti i “Ballkoni” të krijojë kontakte të rëndësishme me producentë e distributor të rëndësishëm të industrisë së filmit.

Ekipi prej më shumë se 20 aktorësh, afër 60 përqind prej tyre aktorë jo profesionistë, në 20 minuta krijojn situata dinamike si element që tërhoqi shikuesit në festivalin prestigjioz të filmit në Venecia.

Në rrugët e ujdhesës Lido, ku edhe ndodhi festivali, fjala “Ballkoni” tanimë kishte kuptimin e situatave dinamike të krijuara nga aktorët e Kosovës, duke paraqitur qartë mentalitetin e shoqërisë kosovare për publikun e huaj.

Top Channel