Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e stemës së republikës nga fletëvotimet e zgjedhjeve të 3 nëntorit është në kundërshtim me ligjin për simbolet shtetërore, neni 11 i të cilit përcakton vendet ku duhet të vendoset stema e Republikës së Kosovës.

Ky është vlerësimi i lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka vendosur që ta dërgojë vendimin e KQZ-së si rast gjyqësor për shkelje administrative në gjykatë. Rrjedhimisht vendimi i KQZ-së nuk ka mundësi të shkojë në Gjykatën Kushtetuese pasi kjo e fundit nuk ka juridiksion mbi vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas ligjit, stema e Republikës së Kosovës vendoset në hyrje të institucioneve shtetërore, në të gjitha aktet zyrtare, në vulat e institucioneve shtetërore, në dokumentet dhe marrëvshjet ndërshtetërore të Republikës së Kosovës, në bazë të reciprocitetit.

“Me orientimin e Ivica Daçiç dhe konfirmimin e Hashim Thaçit, Komisioni Qendror Zgjedhor hoqi stemën e Republikës së Kosovës, ndërsa më 4 shtator u regjistrua një subjekt si listë e përbashkët serbe, e quajtur “Srbija”. Në këto kushte nuk do të ishte e papritur që logoja e tyre, për shembull, të ishte stema “Republika e Serbisë””, deklaroi deputeti i VV, Visar Ymeri.

Duke folur për listën e përbashkët serbe, “Srbija”, zyrtarët e Vetëvendosjes lexuan rregullën për çertifikim, e cila i lejon zyrës për regjistrim në KQZ që nëse subjekti i cili paraqitet për regjistrim me emër që mund të nxisë urrejtje etnike, të drejtën për mos ta regjistruar atë.

Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin për amnistinë, se është në përmbajtje me Kushtetutën në përjashtim të disa neneve, në Vetëvendosje thonë se një ligj nuk mund të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën, ndërsa përmban nene antikushtetuese.

Sipas Vetëvendosjes u vërtetua se ligji për amnistinë i votuar në Kuvend, i dalë nga marrëveshja Thaçi-Daçiç, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Top Channel