Rrugë e shkatërruar në Gjirokastër

05/09/2013 00:00

Aksi me gjatësi 25 kilometra kthesa e Libohovës-Polican është një prej
akseve më problematikë rrugorë në të gjithë qarkun e Gjirokastrës.

Kjo rrugë që lidh me qytetin dhjetëra fshatra të katër komunave nuk eshte rehabilituar asnjehere në 20 vitet e fundit. Rruga me specifikë malore paraqet dëmtime në të gjithë gjatësinë e saj ndërsa ndërhyrjet për mirëmbajtje nuk janë të mjaftueshme për aksin që kërkon investime kapitale.

Banorët në fshatin Suhë  përgjatë këtij aksi thonë se gjendja e saj po vështirëson jetën e të gjithëve, duke katërfishuar kostot e lidhjes me qytetin ndërsa në dimër gjendja e rrugës bëhet edhe më e vështirë prej reshjeve.

E gjithë zona po boshatiset dita ditës për shkak të vështirësive për të arritur qendrat e mëdha të banuara. Në fshatin Suhë me rreth 90 shtëpi jetojnë aktualisht vetëm 160 banorë dhe ata nuk kanë asnjë shans për të cuar produkte në treg për shkak të vështirësisë së rrugës. Gjendja është edhe më e vështirë për fshatrat e thella të komunave Zagori dhe Pogon të cilat arrihen vetëm me mjete te medha dhe kërkojnë rreth 2 orë që prej rrugës nacionale. Rruga e shkatërruar me gjatësi rreth 25 km  con edhe drejt pikës kufitare të Sopikut që lidh banorët e kësaj zone me Greqinë.

Top Channel