Gjurmë të garfiteve antishqiptare në një fasadë që ka filluar të rrënohet, dyqane për artikuj sanitarë dhe një oborr i papastruar për një kohë të gjatë.
Imazhet nga godina e Muzeut të Alfabetit në Manastir të realizuara javën e kaluar u publikuan në një konferencë për media nga deputeti i Partisë Demokratikë Shqiptare, Bekim Qoku, i cili ditë më parë vizitoi Shtëpinë e Alfabetit.
“Kishte filluar të rrënohej, fasada në disa pjesë të shtëpisë kishte rënë poshtë, kishte gjurmë të grafiteve antishqiptare ku shkruhej “vdekje shqiptarëve”. Aty vazhdon të ketë një kontest pronësie për dy dyqanet që janë të integruara në objektin Kongresi i Manastirit dhe për banalitet, ata dy dyqane shesin artikuj sanitarë. Nga ana tjetër është edhe oborri i shtëpisë ku nga fotografitë mund të shihni është një xhungël”, deklaroi Qoku.
Qoku akuzoi qeverinë e në veçanti zyrtarët shqiptarë se ka lënë pas dore këtë muze kaq të rëndësishëm. Lidhur me këto akuza, në emër të partisë shqiptare në pushtet, BDI, u prononcua deputeti Behixhudin Shehapi. Ai tha se të gjitha dëmet janë riparuar dhe porositi se asgjë nuk mund t’i detyrojë shqiptarët të heqin dorë nga Shtëpia e Alfabetit.
“Muzeu po funksionon, nuk ka asnjë pengesë për funksionimin e tij, por janë konstatuar dëme. Riparimi është bërë javën e kaluar dhe gjithashtu janë identifikuar të gjithë ata që kanë shkaktuar dëme në Muzeun e Alfabetit. Përkundër tentativave që të zhvlerësohet puna në këtë institucion, askush nuk do t’ia arrijë qëllimit”, deklaroi Shehapi.
Muzeu i Alfabetit në Manastir këtë vit disa herë është dëmtuar, me ç’rast përveç dyerve dhe dritareve kanë pësuar edhe vitrinat ku ishin të ekspozuara dokumentet historike.
Top Channel