“Ringjallet” detektivi Hercule Poirot

04/09/2013 16:00

Pas pothuajse 40 vjetësh ringjallet Hercule Poirot, detektivi i famshëm belg i lindur nga pena e Agatha Christie.

Duke ndjekur shembullin e James Bond dhe Sherlock Holmes, shtëpia botuese britanike “Harper Collins” dhe nipi i shkrimtares, Mathew Prichard, kanë vendosur t’ia besojnë librin e ri shkrimtares së librave policeskë, Sophie Hannah. Një mision, që vetë kjo e fundit e ka cilësuar si “të pamundur”.

“Të pranosh një detyrë të tillë duhet të jesh paksa i marrë. Agatha Christie është shkrimtarja më e madhe e policorëve në histori dhe për mua është një nder të zgjidhem për këtë projekt”, ka thënë Hannah.

Publikimi i librit është parashikuar për në shtator të vitit të ardhshëm. I shëndoshë, i veshur gjithmonë shik, jashtëzakonisht i edukuar por edhe shumë ekscentrik, Poirot lindi në vitin 1920 me novelën “The Mysterious Affair at Styles Court”.

Episodi i ri do të jetë i ambjentuar në periudhat mes ngjarjeve të ndryshme të detektivit, ndërkohë që do të mungojë miku i tij i ngushtë, Arthur Hastings. Për të marrë detyrën shkrimtarja Sophie Hannah ka prezantuar një projekt prej 100 faqesh.

“Prej kohësh kisha në kokë një ide që nuk mund të ambjentohej në një thriller bashkëkohor, por që shpresoj të funksionojë në një thriller të stilit të Christie”, ka thënë Hannah.

Shkrimtarja Sophie Hannah dhe nipi i Agatha Christie, Mathew Prichard

Top Channel