" /> ">

Assange, anëtar jurie në festivalin e filmit

04/09/2013 19:40

Julian Assange do të jetë midis anëtarëve të jurisë së “Raindance Film Festival”, një prej organizimeve më prestigjioze të kinematografisë europiane.

Festivali prestigjioz do të mbahet në Londër në datat 25 shtator, deri më shtatë tetor.

Megjithatë, themeluesi i “Wikileaks” nuk do të mund të jetë i pranishëm në ceremoninë që do të mbahet në “Piccadilly Circus”, pasi përballet me arrestimin e sigurt nëse braktis selinë e ambasadës së Ekuadorit në kryeqytetin britanik.

Aktualisht, 42-vjeçari mbetet i ngujuar në selinë diplomatike ku i është akorduar strehimi politik, pasi kërkohet nga drejtësia suedeze për akuzën e përdhunimit.

Avokatët e tij dyshojnë që dërgimi në Suedi është vetëm një preteks, për të lehtësuar ekstradimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku potencialisht mund të përballet me akuzën e spiunazhit, e dënueshme në bazë të legjislacionit amerikan deri me vdekje.

Organizatorët e festivalit bënë me dije se vota e Assange do të llogaritet pasi ai të ketë ndjekur të gjithë filmat në dvd.

Top Channel