Johansson mendon për karrierën politike

03/09/2013 00:00

Scarlett Johansson ka zbuluar se po mendon për të lënë karrierën kinematografike për atë politike. 28-vjeçarja njihet për mbështetjen e hapur për presidentin Barack Obama dhe në një intervistë për revistën ‘Harper’s Bazaar’ tha se nuk e përjashton hyrjen në politikë.

“Kurrë nuk i dihet. Nuk i kufizoj mundësitë e mia. Nëse do të kem më shumë kohë, ndoshta mund të dëgjohet zëri im në politikë. Kurrë nuk ia mbyll derën mundësive të tilla”, theksoi aktorja hollivudiane.

Johansson shtoi se familja e ka mësuar që gjithmonë të jetë “aktive në politikë”

“Unë vij nga një familje aktive politikisht. Jam mësuar që të jem një pjesëtare aktive e komunitetit dhe të jem një qytetare e përgjegjshme”, deklaroi 28-vjeçarja.

Aktualisht, Scarlett Johansson ndodhet në Itali ku po promovon filmin e saj të fundit ‘Under The Skin’ në Festivalin e Filmit të Venecias.

Top Channel