Andrea Stefani – Në konfliktin për pronësinë e një trualli mes Kishës
Ortodokse Shqiptare dhe bashkisë së qytetit të Përmetit tërhoqi
vëmendjen edhe ndërhyrja e diplomacisë greke.
Një deklaratë e Ministrisë së Jashtme të Greqisë u kritikua ashpër në mjedisin shqiptar jo vetëm nga figura të politikës e medias, por edhe nga klerikë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Vetë kryeministri në largim, Sali Berisha, e konsideroi të papranueshme dhe ndërhyrje absurde në punët e Shqipërisë deklaratën e dikasterit grek. Por duket se diplomacia greke jo vetëm nuk “mbush”, por përshkallëzon ndërhyrjen në punët e brendshme të një shteti sovran. Një brutalitet dhe arrogancë që faktohet edhe nga deklarata e djeshme e zëvendësministrit të Jashtëm grek, Dimitris Kourkoulas, ku pakicat fetare thuajse miksohen me ato etnike.
***
Në deklaratën më të hershme të Ministrisë së Jashtme Greke, ndërhyrja ishte më e sofistikuar. U përdorën si Kalë Troje “dhuna ndaj priftërinjve” apo “heqja e simboleve fetare”. Dhe kushdo, jo vetëm Greqia, por edhe Kina apo Tahiti, mund të protestojnë kundër dhunimit të klerikëve apo simboleve fetare në Shqipëri e në çdo vend të botës. Por deklarata nga Athina injoronte, ato fakte që dëshmonin se shkaku fillestar i dhunës ishte vetë dhuna e ushtruar nga klerikët e kishës, dhe në radhë të parë ndaj ligjit. Në fakt, ka disa vjet që kisha po përpiqet të dalë mbi ligjin në një kohë që thelbi i Krishterimit është respektimi i ligjit. Në Përmet është avancuar nga klerikët ilegalisht një ndërtim, gjë kjo e dënueshme edhe për çdo qytetar të zakonshëm. Vetë Jezu Krishti shpallte: “Mos mendoni se kam ardhur të shfuqizoj ligjin dhe profetët; nuk kam ardhur t’i shfuqizoj por t’i përmbush ato (Mateu 5:17-18). Pikërisht këtë dhunë të ushtruar nga klerikët mbi ligjet e shtetit, pikërisht këtë arrogancë ndaj vendimeve të gjykatës, injoronte deklarata e ministrisë greke. Po nëse vendimi i gjykatave është i padrejtë, ngaqë drejtësia shqiptare nuk i ka sytë fort të lidhura dhe mund të ketë kapur isharetet e pushtetit? Zgjidhja nuk është shpërfillja dhe dhuna mbi vendimet e gjykatës (shembulli më pak i krishterë që mund t’u jepet qytetarëve dhe besimtarëve) por lufta për të drejtën edhe në gjykatat ndërkombëtare, sensibilizimi i opinionit për padrejtësinë. Të shpërfillësh një vendim gjykate do të thotë të shthurësh mekanizmin e së drejtës edhe kur ky vendim mund të jetë i padrejtë.
***
Në deklaratën e djeshme të Kourkoulas, shohim një element të ri që e përshkallëzon ndërhyrjen e Greqisë në punët e Shqipërisë. Duke i kujtuar Shqipërisë se anëtarësimi në BE kalon edhe nga Athina (një lloj shantazhi i butë ky?) deklarata sqaron se hyrja në familjen europiane përfshin edhe “respektin për pakicat fetare, etnike dhe kulturore”. Këtu punët ngatërrohen. Në këtë moment diplomacia greke i përqaset, si pa dashje, qëndrimeve ekstremiste të Agimit të Artë që, pas ngjarjeve të Përmetit, deklaroi se: Shteti i kaçakëve po terrorizon grekët dhe kishat ortodokse! Është intrigante të përziesh në një thes pakicat fetare me ato etnike. Rreshtimi është i qëllimtë dhe aludimi i qartë. Por ortodoksët shqiptarë nuk janë grekë. Prandaj, ata kanë krijuar dekada më parë, me Fan Nolin, Kishën e tyre Autoqefale. Prandaj dhe konflikti për kishën në Përmet është një çështje shqiptare, që duhet të zgjidhet nga shoqëria shqiptare dhe shteti shqiptar. Ka ardhur koha që diplomacia greke të heqë dorë nga gjakimi sa primitiv aq shovinist, që çdo ortodoks në Shqipëri ta konsiderojë grek. Historia i ka bërë shqiptarët një komb multifetar. Në Shqipëri, feja nuk është shenjë e kombësisë dhe kombësia nuk është shenjë e fesë. Prandaj edhe sensibiliteti i diplomacisë greke është i tepruar dhe aspak europian, sepse e nënkupton të drejtën për të ndërhyrë në incidentin e Përmetit, në pandehmën e vjetër e të stërdalë boje se “çdo ortodoks është një grek”.
***
Ndërkaq duhet thënë se incidenti i kishës së Shën Marisë së pazarit, është një tjetër provë e paaftësisë së burokracisë shtetare dhe klerikale në Shqipëri për të zgjidhur në kohë, me konsensus dhe mirëkuptim, një konflikt që zvarritet prej vitesh. Është një nga ato episode të shumta, që të nxitura nga epshe pronash e gjakime konfliktesh, kanë përbërë tradicionalisht mozaikun e së keqes vulgare që gërryen vlerat e një shoqërie dhe shteti, mirësinë, respektin për ligjin, për të drejtën dhe mbi të gjitha, për atë më universalen, respektin për njeriun.
Top Channel