Çifti mbretëror, foto të reja të Princit George

20/08/2013 02:00

Kensington Palace ka publikuar foto të reja të Princit George, të parat pas atyre të publikuara vetëm pak pas lindjes së tij.

Nëna, babai, djaloshi i vogël dhe dy qen simpatikë, ka qenë kjo njëra prej fotove të shfaqura gjatë orëve të para të së martës nga Pallati Mbretëror, ku shfaqen Duka dhe Dukesha e Kembrixhit, djali i porsalindur i tyre, Princi George, dhe një çift miqsh me katër këmbë.

Fotot janë kryer nga Michael Middleton, babai i Catherine, në fillim të gushtit, në kopshtin e shtëpisë së familjes Middleton, në Bucklebury, Berkshire.

Një prej portreteve shfaq Catherine-n, Dukeshën e Kembrixhit, rrezatuese teksa mban Princin George të mbështjellë me pelena, i cili është i treti në radhë për fronin britanik. Edhe Princi William, bashkëshorti i lumtur, gjendet në krah të tyre gjithë buzëqeshje.

Ata shoqërohen nga e majta nga Tilly, një qen gjahu i familjes Middleton, dhe në të djathtë nga Lupo, langoi qimegjatë e veshërënë i çiftit.

Në portretin tjetër shfaqet çifti mbretëror vetëm me Princin e ri.

Në intervistën e tij të parë zyrtare, që prej lindjes së Princit George më 22 korrik, William tha për CNN se Lupo është duke zënë një vend të veçantë në familjen mbretërore.

“Ai po përshtatet shumë mirë për momentin”, tha William. “Siç e dinë shumë veta, që kanë pasur qen dhe sapo janë shtuar në familje me një foshnje, ata kërkojnë pak kohë sa të adaptohen, por deri më tani Lupo ia ka dalë mbanë shumë mirë. Ai vërtitet rreth shtëpisë, kështu që ndihet gjithashtu i lumtur”.

Lupo mund të jetë një shok perfekt për George, të cilin William e quan “paksa laro”. “Ai më kujton mua apo vëllanë tim, kur kemi qenë të vegjël. Nuk jam i sigurt, por deri më tani po shkon gjithçka mirë”, ka thënë William për CNN, teksa përshkruan anëtarin më të ri të familjes mbretërore.

“Ai po rritet disi shpejt, por është paksa luftarak. Ai është shumë i lëvizshëm dhe nuk dëshiron të flejë për shumë kohë”.

Top Channel