Çfarë lexojmë në verë?

20/08/2013 23:35

Vera është zakonisht stina kur lexohen më shumë libra, edhe sepse njerëzit pushojnë e kanë më shumë kohë të lirë.

Po si kanë qenë shitjet e librave këtë verë dhe çfarë kanë preferuar më tepër shqiptarët? Kemi vizituar disa prej librarive më në zë të kryeqytetit, për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.

“Për sa i përket numrit të shitjeve, mund të them që ka pasur të njëjtin ritëm si të vjetshmin, mbase edhe më shumë se vjet, pasi është rritur shumë interesi i lexuesve për librin. Duke qenë se jemi edhe në stinën e verës, kryesisht është tërhequr më shumë libri artistik, si më i lehti dhe më shplodhësi, pasi në sezon pushimesh njerëzit duan diçka më qetësuese se sa librat impenjues në të lexuar. Më tepër letërsia e huaj, se sa ajo shqiptare, duke parë se ka edhe prurje më të mëdha”, u shpreh Sonila Krosi, punonjëse librarie.

“Ky ka qenë një vit i vështirë për ne librashitësit, botime dhe investimet në këtë fushë kanë qenë të pakta. Gjatë verës dihet që preferohet diçka më pak angazhuese. Pëlqehet më shumë letërsia artistike, “best seller”-at, librat informues si për shembull ‘Si të bësh biznes’, ‘Si të përmirësosh kujtesën’, por interesante këtë vit është se ka pasur interes për librin në gjuhë të huaj”, tha Arlind Novi, një tjetër punonjës librarie.

Ardhja e emigrantëve dhe vizitorëve të huaj në verë është edhe një nga arsyet, që zakonisht influencojnë blerjen e librit.

“Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka një rënie të blerjes së librave. Libri shqip është më i madh në blerje, pra ka një volum më të madh në shitjen e tij. Duhet thënë se autorët shqiptarë mbeten peng i preferencave të lexuesve shqiptarë. Autorët e huaj pëlqehen më tepër. Vihet re një prirje e të ardhurve nga jashtë, sidomos interesi i prindërve për fëmijët e tyre. Shihet gjithashtu një trend i blerjes së librave, që mësojnë gjuhën shqipe”, shprehet Neritan Gjergo, punonjës librarie.

Sipas librashitësve, përveç preferencave të zakonshme, këtë verë vihet re edhe një trend tjetër në të lexuar.

“Viher re gjithashtu edhe një trend i leximit të librave, që vijnë nga orienti, përgjithësisht nga Turqia, Arabia Saudite, por edhe autorë orientalë, që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në Perëndim. Janë tema të preferuara gjatë kësaj periudhe”, theksoi Neritan Gjergo.

Megjithë ndryshimet në trende apo shitje, libri sidoqoftë duket se vijon të mbetet për shqiptarët një nga shoqëruesit më të mirë të verës.

Top Channel