
Juventusi dhe Interi mbyllën turneun miqësor “Guinnes” në Shtetet e Bashkuara me ndeshjen e luajtur pak pas mesnatës (me orën tonë), e vlefshme për vendin e 7 dhe të 8 të këtij kompeticioni.
Zikaltërit kaluan të parët në avantazh në minutën e 29 të takimit me anë të Alvarez, ndërsa bardhezinjtë barazuan në sekondat e fundit të pjesës së parë pas një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Vidal.
Rivaliteti historik mes këtyre dy skuadrave bëri që pjesa e dytë e takimit të mos ngjasonte me një takim miqësor. Loja e ashpër dhe rastet për gol nuk munguan nga asnjëra palë, ndërsa mundësia me e mirë u takoi bardhezinjve që goditën shtyllën me anë të Pirlos, pak minuta nga përfundimi i kohës së rregullt.
Por vetëm kaq, 90 minutat përfunduan në barazim 1-1 dhe skuadrat iu drejtuan goditjeve nga pika e bardhë e penalltive për të përcaktuar fituesin simbolik. Skuadra e Mazzarrit u tregua më e saktë nga këto goditje duke u shpallur fituese.
Ndërkohë, në përfundim të turneut, trajneri i Juventusit, Antonio Conte deklaroi se skuadra kishtë mësuar shumë nga përvoja në SHBA edhe pse skuadra e tij nuk fitoi asnjë takim.
Ndërkohë, në takimin tjetër, atë mes Valencias dhe Evertonit, të vlefshëm për vendin e 5 dhe të 6, spanjollët fituan minimalisht 1-0.
Në orët e para të 8 gushtit, luhet Los Anxheles-Milan dhe finalja e madhe e turneut, Real Madrid Chelsea.
Top Channel