E ardhmja e Felipe Massa tek Ferrari është e pasigurt dhe këtë e thotë vetë braziliani, i cili deri tani ka realizuar një sezon zhgënjyes.
Massa, në një intervistë të publikuar në gazetën sportive spanjolle “AS”, theksoi se mbetet optimist për një përmirësim të mundshëm të rendimentit të tij në pjesën e mbetur të Botërorit të Formulës 1, por pranoi se “në fund, do të jenë rezultatet ato që do të përcaktojnë të ardhmen e tij”.
“E ardhmja ime nuk është ende e qartë, por mundësia për të qëndruar është këtu dhe më e rëndësishmja në këtë moment janë rezultatet”, deklaroi braziliani.
“Jam i kënaqur për ritmet që kam vendosur në prova zyrtare, por duhet të rrisim rendimentin tonë në garë, ku duhet të jemi shumë më të qëndrueshëm”, shtoi Felipe.
Megjithatë, problemi më i madh i pilotit të dytë të Ferrarit, është krahasimi me dy herë kampionin e botës brenda skuadrës, Fernando Alonson.
Që prej vitit 2010, kur spanjolli mbërriti në skuadër, ai ka arritur të ngjitet 38 herë në podium, në krahasim me dhjetë herët e Massës, ndërsa diferencat duket se vijnë gjithmonë e në zmadhim.
Top Channel