Ditët e nxehta të gushtit

05/08/2013 15:15

Termometri ka shënuar 38 gradë Celsius të hënën në kryeyqtet dhe ditë të tjera të nxehta priten në 10-ditëshin e parë të muajit gusht.

Meteorologët parashikojnë një rënie të lehtë të temperaturave të martën, por masat e nxehta ajrore që vijnë nga Afrika në vendin tonë do të bëjnë që temperaturat të jenë të larta.

“Këto masa ajrore të nxehta bëjnë që në pjesën jugore të Ballkanit të thajnë atmosferën, gjë që sjell në rajon një mot të thatë e të nxhetë. Temperaturat edhe sot kanë pësuar rritje krahasuar me dje. Në bregdet ato janë rreth 37 gradë Celsius, ndërsa në vendet e ulëta 38”, deklaron ekspertja Elvira Qilimi.

Në pjesën qendrore të vendit ka patur dhe kalime vranësirash, por sipas meteorologëve, ato nuk do të sjellin reshje, çka mund të shkaktonte freskim të motit. Vetëm pas dhjetëditëshit të parë të muajit gusht pritet një rënie graduale e temperaturave.

“Ne, deri në datë 10 gusht, sipas hartave dhe pamjeve satelitore, shikojmë një tablo barike të presionit të lartë dhe një masë ajrore me thatësira dhe masa të nxehta. Por nuk presim rritje mbi 39 gradë. Pritet që pas datës së 10-ditëshit të parë të gushtit të kemi një ulje të lehtë të temperaturave”, saktëson Qilimi.

Në këto ditë të nxehta gushti këshillohet të konsumohen sa më shumë lëngje dhe të sëmuret kronikë, apo të moshuarit të evitojnë daljet në orët e pikut.

Top Channel