
Skënderbeu duket të mos jetë dorëzuar ende, pas humbjes 3-0 në ndeshjen e parë në Kazakistan, e vlefshme për raundin e tretë paraeliminator të Champions League.
Edhe pse në letër duket gjithçka e mbyllur, shpresat mbeten për të tentuar përmbysjen. Në rast të kundërt, për korçarët ka një tjetër mundësi të artë, raundi i “play-off”-it të Europa League.
“Normalisht, ndeshja 3-0 është rezultat shumë i thellë dhe është në disfavorin tonë. Megjithatë, futbolli ka treguar se ka edhe surpriza. Edhe kalimi i një turi të Champions League është një arritje shumë e madhe. Objektivat, që kemi pasur ne sivjet, ka qenë kampionati, Kupa dhe kalimi i një turi në Europë. Besoj se i kemi arritur objektivat tona, ndërsa ky ishte një realizim plus, që tani do të thotë të futemi në grupet e Europa League”, është shprehur Ardian Takaj, president i Skënderbeut.
“Janë dhe 90 minuta në lojë. Mund të them se ndeshja që luajtëm ne dhe mënyra se si luajti skuadra atje nuk i përgjigjet fare rezultatit që ne pësuam, por mua më intereson ta fitojmë ndeshjen. Problemi nëse do të fitohet 2-0 apo 3-1 është tjetër gjë, por në futboll të gjitha gjërat janë të pritshme”, deklaroi Mirel Josa, trajner i Skënderbeut.
Ndërkohë, për zhurmën e ndeshjes së parë, ku u aludua deri edhe për manipulim të rezultatit në baste apo koefiçentë të çuditshëm, presidenti Takaj shton:
“Kjo është një vështirësi edhe për mua, për vazhdimin më tej në Korçë, sepse njerëzit kur mësohen me arritjen e shumë rezultateve pozitive, një problem shumë i madh i shqiptarëve ky, ata nuk e njohin më humbjen”.
Lajmi i shpërbërjes së Flamurtarit ndikon padyshim edhe në rivalitetin e drejtpërdrejtë të tyre për Superioren, për të mos lënë pa përmendur këtu, shndërrimin në një klub sheikësh tashmë të korçarëve, pasi ka vërshuar interesi drejt skuadrës së Skënderbeut, prej disa lojtarëve, që bëjnë pjesë në listën e të larguarve të Flamurtarit.
“Ne ekipin e kemi të plotë, por për ndonjë mungesë do të shohim se çfarë na duhet, ndaj dhe nuk e përjashtoj afrimin e ndonjë lojtari prej tyre”, theksoi Takaj.
“Unë kam një skuadër të formuar. Do të shoh se si do të funksionojë ajo, para se të afrohen lojtarë, sepse – pa ulur vlerën e lojtarëve të Flamurtarit, apo atyre që kanë shprehur dëshirën në çfarëdo lloj mënyre për të ardhur në ekipin tonë – unë do të kem parasysh ruajtjen e ekuilibrave të skuadrës”, tha Josa.
Ndeshja e radhës mes Skënderbeut dhe skuadrës së Shakhtar Karagandy-t do të zhvillohet ditën e martë në “Qemal Stafa”, në orën 20:00.
Top Channel