Dëshironi të blini Leo Messi-n? Është e lehtë, mjafton të derdhni 580 milionë euro në arkat e Barcelonës…
Nuk është ndonjë person dosido, ai që e ka thënë këtë, por vet presidenti i klubit “blaugrana”, Sandro Rosell, i cili në një intervistë për të përditshmen katalanase, Sport, komenton transferimin e ardhshëm të Gareth Bale, nga Tottenham te Real Madrid, për shifrën rekord të 120 milionë eurove, si dhe bën llogaritë se kur mund ta linte të lirë kampionin argjentinas, 4 herë fitues i “Topit të Artë”.
“Klauzola për Messi-n është 250 milionë euro, – shpjegon Rosell, – e nëse shtoni këtu taksat prej 56%, atëherë shifra totale shkon në 580 milionë euro”.
Më pas vjen edhe saktësimi i Rosell, si të kishte dashur të evitonte keqkuptimet. “Të gjithë lojtarët, që duan të largohen nga ne, mund ta bëjnë… Të gjithë veç Messi-t”.
Presidenti i Barcelonës ndalet gjithashtu edhe te Neymar, duke shprehur bindjen e tij se ylli brazilian nuk do të ketë asnjë problem në fushën e lojës, për përshtatjen me Messi-n.
“Leo nuk mund të jetë xheloz për tjetër njeri, veç vetvetes, – nënvizon Rosell, – ndërsa Neymar do të ketë nevojë për pak kohë, sa të adaptohet me lojën e ekipit të tij të ri. Edhe kështu siç është mund të ndihmojë skuadrën, sepse do të tërheqë mbrojtësit kundërshtarë, që do ta lënë më të lirë Messi-n”.
Top Channel