Regbi “prek” Shqipërinë

03/08/2013 00:00

Sporti i regbit është pak i njohur për shqiptarët, por jo pa dashamirës të tij. Për herë të parë në vendin tonë, një grup të rinjsh, në pritje të zyrtarizimit të këtij sporti, organizojnë një ndeshje miqësore në Tiranë.

Ndeshja do të zhvillohet ditën e shtunë në orën 18:00 në stadiumin “Selman Stermasi” mes skuadrës “Shqipëria XV Rugby” dhe “Albanian Rugby”, ku mes lojtarëve në fushë janë edhe emigrantë që praktikojnë këtë sport në vendet perëndimore.

Ky takim është një takim promovues për këtë sport që nga shtatori pritet të futet në kategorinë e sporteve zyrtare në Shqipëri. Organizatorët thonë se kanë zhvilluar takime me Komitetin Olimpik dhe me drejtues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Ftesa për të ndjekur takimin u janë dërguar drejtuesve të ministrisë, komitetit dhe përfaqësuesve diplomatikë të vendeve me traditë në këtë sport.

Top Channel