Barcelona ka shpërthyer, si të kishte dashur të tregonte diçka, duke shkatërruar 8-0 Santosin në mbrëmje, ndeshje për trofeun “Gamper”.
Neymar, ish-lojtari i ekipit brazilian, e nisi nga pankina, por Messi tregon “dhëmbët” që në minutën e 8. Vetëm 3 minuta më pas, një mbrojtës i brazilianëve shënon autogol dhe rreth minutës së 30 është Sanchez, ai që trefishon rezultatin, asiston Messi. Pedro shënon golin e katërt, pas një aksioni të shkëlqyer.
Në pjesën e dytë aktivizohet edhe Neymar, i cili godet traversën, por edhe pse pritej diçka prej tij, është Fabregas ai që shpërthen, me një dopietë. Më pas, ka ende kohë edhe për Adrianon dhe Dongou, që vulosin rezultatin 8-0.
Vlen të theksohet se Neymar u prit me një “standing ovation”, në momentin e hyrjes në lojë, por Barça ndoshta i dha një leksion të mirë konkurrence rivalëve brazilianë, të cilët e kthyen në një telenovelë disa vjeçare transferimin e yllit brazilian, dikur flitej sa te Barcelona, te Reali, pa u harruar edhe Bayern-i.
Top Channel