Flamurtari, vetëm me vlonjatë

03/08/2013 00:00

Vetëm nëse je nga Vlora mund të luash me skuadrën e futbollit të Flamutarit. Ky është vendimi i detyruar që kanë marrë drejtuesit e klubit vlonjat për ekipin e sezonit të ardhshëm.

I kontaktuar në telefon nga Top Channel, administratori i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi ka pohuar se asnjë nga lojtarët jabanxhinj nuk mund të qëndrojnë më në klub me atë nivel të ulët të rrogave.

“Për shkak të financave të pakta që kemi siguruar për këtë vit, kemi vendosur një strategji të re për ekipin e këtij sezoni. Do të krijojmë një skuadër me lojtarë nga Vlora dhe me futbollistë që vijnë nga ekipet e moshave të Flamurtarit. Do të ngremë një skuadër modeste por konkurruese në kampionat, me aq mundësi sa kemi”, ka deklaruar Çipi.

Përsa i përket blerjeve të verës apo lojtarëve që nuk janë nga Vlora, administratori i Flamurtarit ka theksuar se të gjithë janë të lirë të shkojnë ku të duan.

“Me lojtarët që afruam këtë verë kishim bërë një marrëveshje, por nuk e kishim hedhur në letër. Ndërsa për futbollistët e huaj, duke përfshirë këtu edhe ata si Muzaka, janë të lirë të luajnë ku të duan pasi ne nuk i sigurojmë dot rroga të majme”, ka thënë Çipi.

Në fund, ai ka mohuar thashethemet për largimin e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, nga posti i presidentit të Flamurtarit.

Gjatë kësaj vere, skuadra vlonjate ishte nga më aktivet në merkato, por mesa duket të gjithë lojtarët duhet të bëjnë mbrapa kthehu për të provuar fatin e tyre në ndonjë skuadër tjetër.

Top Channel