
Do të jenë 16 deputet të rinj, ata të cilët do të jenë pjesë e Parlamentit të ardhshëm të Shqipërisë. Pas publikimit të listës së Qeverisë së re, nga ana e Kryeministrit të ardhshëm Edi Rama dhe deklarimit të tij se ministrat nuk do të mbajnë mandatin e deputetit, tashmë i jepet mundësia kandidatëve që nuk arritën të fitonin në zgjedhjet e 23 qershorit, që të jenë pjesë e Parlamentit.
Por ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë sanksionuar dhe rastet kur largohet një deputete femër. Sipas neniti 164 të Kodit Zgjedhor, vakanca zëvendësohet me një pjestarë të listës të së njëjtës gjini, pavarësisht renditjes në listë.
Por gjithashtu, në nenin 175 pika 2 të Kodit Zgjedhor, parashikohet se: “Kur ndaj një subjekti zgjedhor është konstatuar shkelja, KQZ-ja zbaton si sanksion plotësues zëvendësimin e çdo vakance në listën e subjektit, në zonën ku është konstatuar shkelja, me kandidatët vijues në listë nga gjinia më pak e përfaqësuar deri në plotësimin e kuotës gjinore. Në rast se KQZ-ja vendos aplikimin e këtij sanksioni, përjashtimi i pikës 2 të nenit 164 nuk zbatohet dhe vakanca plotësohet sipas kësaj pike”.
Më konkretisht, vakancat e krijuara nga deputetët e Partisë Socialiste në qarqet Elbasan, Durrës, Dibër, Gjirokastër e Kukës, qarqe për të cilat PS është gjobitur për mosrespektimin e barazisë gjinore, zëvendësohen detyrimisht me kandidate femra. E njëjta gjë ndodh dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim, vakancat e të cilës, të krijuara në qarqet Berat, Durrës, Gjirokastër e Kukës, plotësohen me kandidate femra, pavarësisht renditjes së tyre.
E gjithë kjo sjell që nga 16 deputetët e rinj, 11 të jenë femra edhe pse pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të vendosura në fund të listave.
Ndryshimet më të mëdha ndodhin në Qarkun e Tiranës ku nga Partia Socialiste 4 deputet bëhen ministra, duke u dhënë kështu mundësinë Enkelejda Shkrelit, Bledar Doracajt, Ervin Bushatit e Blerina Gjylametit që të marrin mandatin e deputetit. Gjylameti e merr mandatin referuar nenit 164 të Kodit Zgjedhor, pasi përpara saj në listë ishte kandidati Alfred Dalipi.
Po në Qarkun e Tiranës, risi pëson edhe lista e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Deputetja më e re e listës së LSI-së, Klajda Gjosha me përzgjedhjen si Ministre e Integrimit, i hap dyert e Parlamentit një vajze shumë më të re se ajo. Kejdi Mehmetaj, vetëm 20 vjeçe, ndonëse nuk e kishte menduar ndonjëherë se mund të zgjidhej në Parlament, do të jetë deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë.
Dy mandate deputeti zëvendësohen dhe në Qarkun e Fierit, ku Anduel Xhindi dhe Adelina Rista pritet të jenë deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë. Po kaq mandate zëvendësohen në Qarkun e Gjirokastrës, ku Arben Ahmetaj dhe Erjon Veliaj i lënë vendet e tyre, deputetëve të ardhshëm Vladimir Kosta dhe Dashamir Kamberi. Pavarësisht se për këtë qark Partia Socialiste është gjobitur dhe detyrimisht duhet të ishte një deputete femër, në listat e këtij qarku nuk kishte asnjë kandidate prandaj vakanca kalon sipas radhës.
Edhe në Qarkun e Elbasanit ndryshon lista e deputetëve, ku Damian Gjiknuri i lë mandatin Luljeta Arapit, ndërsa Edmond Haxhinasto i LSI-së zëvendësohet nga Miranda Rira.
Durrësi është një tjetër qark ku do ketë ndryshim të deputetëve. Ilir Beqja do të zëvendësohet nga Esmeralda Shkjau, e cila është e fundit në listën e PS-së në Qarkun e Durrësit. Ndryshime ka dhe në listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku Lefter Koka do të jetë Ministër i Mjedisit duke i lënë vendin në Parlament, Silvana Maksutit, e renditur e teta në listë dhe jo kandidatit të tretë të listes.
Në Qarkun e Dibrës, deputetja e re e Partisë Socialiste do të jetë Ezmerina Hoxha. Në Qarkun e Lezhës, Mimi Kodheli i lë vendin Mejreme Delishit, ndërsa në qarkun e Beratit, deputetja e ardhshme e LSI-së do të jetë Silva Caka.
QARKU TIRANË
PS
Enkelejda Shkreli
Bledar Doracaj
Ervin Bushati
Blerina Gjylameti
LSI
Kejdi Mehmetaj
QARKU FIER
PS
Anduel Xhindi
Adelina Rista
QARKU GJIROKASTËR
PS
Vladimir Kosta
Dashamir Kamberi
QARKU ELBASAN
PS
Luljeta Arapit
LSI
Miranda Rira
QARKU DURRËS
PS
Esmeralda Shkjau
LSI
Silvana Maksuti
QARKU DIBËR
PS
Ezmerina Hoxha
QARKU BERAT
LSI
Silva Caka
QARKU LEZHË
PS
Mejreme Delishi
Top Channel