Ndihma për fëmijën tetraplegjik

30/07/2013 00:00

Bedo Hysi, 13 vjeç, fëmija tetraplegjik që jeton në një zonë të largët të Tepelenës, pranë fshatit Dukaj, ka përfituar një karrocë për personat me aftësi të kufizuara dhe ndihma në vlerë të konsiderueshme prej Kryqit të Kuq dhe vullnetarëve të tij në Tepelenë.

Njëherazi dy emigrantë shqiptare në Gjermani dhe Angli kanë dhuruar për familjen një vlerë parash. Më parë Shadija, nëna e fëmijës kishte bërë thirrje për minimumin mbështetjen me një karrocë, por ndjeshmëria ndaj rastit ka qenë mjaft e lartë dhe mbështetja i ka siguruar asaj shumë sende të nevojshme.

“Në momentin që pamë kronikën, dhe nga lidhjet që kemi me televizionin tuaj, vendosëm që ta ndihmonim këtë fëmijë edhe për shkak të natyrës që ka shoqata jonë. Jemi të kënaqur që plotësuam një nga nevojat më emergjente që ka fëmijë, që është karroca. Kësaj ndihme i bashkëngjitem edhe një paketë ushqimore dhe produkte higjenike dhe shtëpiake. Ndihmës tonë iu bashkangjit edhe dega e Kryqit të Kuq të Tepelenës”, thotë Zhaneta Kala, përfaqësuese e Kryqit të Kuq.

Ndihma per 13-vjeçarin janë dërguar edhe nga disa emigrantë. Gentian Xheko, që jeton në Gjermani shkruan:

“Unë jam një emigrant shqiptar i larguar në moshë shumë të re për në Gjermani. Po e bëj këtë dhurim modest jo se jam i pasur, por sepse e di shume mirë cdo të thotë “të mos kesh”. Mendoj që gjithkush që mendon kështu do ta gjejë gjithmonë mundësinë për të ndihmuar ata që gjenden sot mes problemeve, varfërisë dhe mjerimit si familja Hysi”.

Besnik Qema një tjetër emigrant shqiptar në Angli tha se pamjet  ishin shumë të ndjeshme për familjen e tij në Londër. Ai mbështeti me para në vlerën e një karroce, ndërsa ka vendosur që ta vizitojë edhe vetë së afërmi familjen Hysi.

Shadija nëna e fëmijës tetraplegjik thotë se të gjithë ata që mbështetën do të jenë miq dhe të afërm të saj.

“Dy emigrantët që u shqetësuan për vuajtjen time dhe fëmijës tim, për vjedhjen ndaj pensionit të djalit që m’u pre, më janë ndodhur shumë pranë. Shumë faleminderit dhe iu uroj gjithë të mirat familjeve të tyre. Për mua do të jenë si vëllezër”, thotë Shadija.

Djali 13-vjeçar ka statusin e tetraplegjikut dhe trajtohet me fondin e caktuar për këtë kategori prej vitesh tashmë, por sa herë që rinovohen dokumentat gruaja detyrohet ta transportojë atë në krahë për kilometra të tërë për ta prezantuar para komisionit të KEMP-it.

Familja Hysi jeton vetëm me të ardhurat prej pensionit të 13-vjeçarit.

Top Channel