Largimet arbitrare nga puna

30/07/2013 00:00

Xhemali Hasalamin e pushuan befas nga puna në vitin 2007. Punonte në Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve Bashkia Kamëz, e menjëherë pasi i komunikuan largimin nga detyra, 58-vjeçari nga Kukësi iu drejtua gjykatës për të rivendosur të drejtën e tij të shkelur nga institucionet.

Por ndonëse gjykata vendosi në 2008 në favor të Hasalamit me një verdikt të formës së prerë, kanë kaluar gjashtë vjet dhe ende ky vendim i gjyqësorit nuk është zbatuar.

“Gjykata vendosi që mua të më jepen 180 mijë lekë ose ndryshe gjashtë muaj rrogë. Më sorollatën. S’e kuptoj pse jepen vendimet e gjykatës kur ato nuk zbatohen?! Më thonë që me mua do shlyhen deri në 2019-ën”, thotë Xhemali Hasalami.

Si historia e Hasalamit, në zyrën  e ndihmës.komisionerit të Avokatit të Popullit Arben Gjoleka ndodhen 81 ankesa të tilla. Por ndërsa Avokati i Popullit i ka kërkuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë që të reagojnë pasi po mohohet e drejta e fituar nga gjykatat, autoritetet kanë heshtur.

Në këto kushte Avokati i Popullit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e një udhëzimi të Këshillit të Ministrave, i përpiluar i tillë që zvarrit në maksimum shlyerjen e detyrimeve monetare të shtetit ndaj qytetarëve që fitojnë gjyqet.

“Problemi ky është. Fitojnë qytetarët gjyqin ky udhëzim është bërë i tillë që në vend që të futej përmbarimi në lojë, sic thotë ligji, shmanget përmbarimi dhe qytetarëve u jepet shuma që vendos gjykata me këste apo u vonohet në maksimum”, thotë ndihmës.komisioneri i Avokatit të Popullit, Arben Gjoleka.

Në gjykatat civile numërohen dhjetra padi me objekt  marrëdhënie pune për zgjidhjen e menjëherëshme ose të pajustifikuar të kontratës së punës, procese të cilat rrallë përfundojnë në kohë, por edhe në rast të kundërt, vendimet ekzekutohen me vështirësi.

“Kemi administruar kërkesa që i përkasin vendimeve të formës së prerë qysh nga viti 2003, 2006, 2007 apo 2008 dhe subjektet ende edhe sot nuk kanë bërë të mundur materializimin e asaj të drejte të fituar në rrugë gjyqësore. Qendrimi që mbahet në trajtimin e kësaj të drejte, për vlerësimin tonë është i parregullt.

Kjo kërkesë e Avokatit të Popullit do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese më 17 shtator.

Top Channel