Durrës, spitali pa ilaçe

30/07/2013 00:00

Prej disa muajsh Spitali Rajonal i Durresit, një spital pilot për mënyrën e trajtimit dhe furnizimit, ndodhet në mungesë të theksuar për ilaçe.

Të shtruarit aty, përveç serumeve dhe ndonjë trajtimi mjekësor, të gjitha ilaçet që ju duhen i blejnë vetë. Kjo u ndodh edhe pensionistëve me libreza shëndetësore të cilët thonë se paguajnë përvec ilaçeve edhe ekzaminimet me aparatura.

“Unë jam me librezë shëndetësore dhe sic thotë kryetari i qeverisë, ata që kanë librezë, pensionistët nuk duhet të paguajnë gjë fare. Unë në fakt i kam blerë me lekë të gjitha sepse s’kanë spitalet tona. Më thonë duhen këto ilaçe, por këto ilaçe spitali nuk i ka. Unë jam pensionist i pjesshëm. Marr 10.600 lekë”, thotë një pensionist.

Megjithatë puna e mjekëve vlerësohet, por të gjithë thonë se nuk ka ilaçe.

“Shërbimi i doktorëve jashtëzakonisht i mirë. Medikamentet ca i ka spitali, ca i blen kur bëhesh operacion”, thotë një qytetare.

Familjarët e të sëmurëve të shtruar në urgjencë, por edhe në pavionet e spitalit, apo të operuar thonë se mjekët ju japin receta pa emër e atë blejnë ilaçet në farmacitë prane spitalit.

“Çdo ditë kam blerë ilaçe dhe e njëjta gjë është edhe tani. S’ka ilaçe spitali”, thotë një tjetër qytetar.

Situata e tejzgjatur me mungesa të theksuara në furnizimin me ilaçe po zgjat për shkak edhe të një ndryshimi të bërë nga ana e Ministria e Shëndetësisë që centralizoi të gjitha tenderat.

Ky centralizim preku edhe Spitalin e Durrësit që ishte në një projekt pilot direkt me Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Keqmenaxhimin e shërbimit shëndetësor në këtë rast po e vuajnë të sëmurët dhe kryesisht më të varfërit që nuk kanë mundësi të paguajnë.

Top Channel