PS tërhiqet nga rivotimi i Lezhës

29/07/2013 00:00

PS është terhequr nga kërkesa e saj për ripërsëritje të zgjedhjve në Qarkun e Lezhës.

Damian Gjiknuri, sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS renditi të gjitha faktet që sipas tij vertetojnë se zgjedhjet në Lezhë kanë qenë një proces i dështuar dhe rezultati nuk reflekton vullnetin e plotë qytetarëve të këtij qarku.

Pavarësisht kësaj situate theksoi Gjiknuri PS mendon se është në interes të vendit, që ky proces i fundit të mbyllet sa më parë, me qëllim që politika të fokusohet tek problemet e mëdha që ka ky vend.

“Përsëritja e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës, jo vetëm do të rikonfirmonte 84 mandatet e mazhorancës por mund të thellonte dhe më shumë këtë rezultat. Por të vetëdijshëm për nevojën që ka vendi për t’i dhënë fund sa më shpejt procesit zgjedhor, përkundër interesit të ngushtë politik, vendosëm të tërhiqemi nga kjo kerkesë.
Kjo edhe për t’i hequr cdo fije justifikimi kundërshtarit tonë politik, i cili pas humbjes dërrmuese në 23 qershorit po mundohet të njollosë zgjedhjet apo të ndërtojë alibi politike sikur zgjedhjet ja paska vjedhur opozita. Kjo alibi shumë qesharake nuk turpëron thjesht vetëm atë por cënon imazhin e Shqipërisë.

Pavarësisht kësaj tërheqje Gjiknuri deklaroi se PS është e gatshme t’i ofrojë opozitës të gjitha mekanizmat për transparencën e zgjedhjeve.

“Ndërkohë që deklarojmë publikisht se jemi të gatshëm të aprovojmë cdo kërkesë për hetimin parlamentar të zgjedhjeve, duke bërë realitet atë që ju mohua opozitës për 4 vitet e shkuara për zgjedhjet e vitit  2009 apo për shtimin fiktiv të popullsisë në Kukës në vitin 2012. Ne mbetemi të angazhuar solemnisht se nuk do t’i privojmë opozitës asgjë që na është privuar ne në 4 vitet e shkuara në opozitë”, tha Gjiknuri.

Përgjegjësit e manipulimeve në zonat zgjedhore të Laçit dhe Mamurrasit tha Gjiknuri do të përballen me ligjin.

“Aktet e paligjshme në procesin zgjedhor duhet të marrin ndëshkimin e merituar sipas ligjit.Partia Socialiste do të kallzojë në prokurori të gjithë paligjshmërinë e votimit në Laç dhe Mamurras si dhe veprimtarinë e KQZ pas ditës së zgjedhjeve. Ashtu siç inkurajojmë drejtësinë të bëjë punën e saj për rastet e deklaruara të falsifikimit të rezultatit në Lezhë apo kudo tjetër”, tha Gjiknuri.

Sipas Damian Gjiknurit, me ikjen e Sali Berishës nga pushteti, do të mbyllet njëherë e mirë kapitulli i zgjedhjeve me probleme dhe pa standarde për Shqipërinë.

Top Channel