Paradokset e Patozit, edhe zgjedhje jo korrekte edhe kryetar legjitim?!

27/07/2013 00:00

Andrea Stefani – Astrit Patozi, nënkryetari i PD-së, në përfundim të
zgjedhjeve brenda partisë së tij, u shfaq në “Top Story” me një
intervistë mbushur plot kundërthënie.

Ndihej në të edhe dëshira për të formuluar një kritikë për mënyrën si u bë zgjedhja e kryetarit të ri, por edhe meraku për të mos shkaktuar ndonjë çarje mes demokratëve, edhe për të bërë ndonjë kritikë ndaj Sali Berishës, por edhe për të mos cenuar kultin e tij sa poshtërues aq dhe të papajtueshëm me çdo demokraci, për të kritikuar mënyrën si Lulzim Basha u ngjit në majë, por pa cenuar statusin e tij si kryetar legjitim i partisë. Një mision që nuk mund të përmbushej pa rënë në paradokse qesharake ashtu siç edhe, në fakt, Patozi ra.

***

Që në krye të herës, Patozi zbulon kotësinë e një procedure demokratike në PD, ndërsa pohon se “ende shumë demokratë mendojnë se Sali Berisha i udhëheq më mirë se kushdo tjetër drejt ringritjes dhe drejt fitores”. Pra, po të qe në garë Berisha do të fitonte Berisha. Dhe kjo ndodh pasi kanë kaluar 23 vjet nga dita kur Berisha u zgjodh së pari kryetar i PD-së. Jo pak liderë komunistë do ta kishin zili këtë jetëgjatësi lidershipi që i përqaset, ndonëse nuk arrin rekordet e Enverit, Stalinit apo Maos. Por me ç’duket, atë që nuk e kuptojnë shumë “demokratë” të verbuar nga kulti i tij antidemokratik, e kuptoi vetë Berisha. Kupa ishte mbushur dhe po derdhej. Duheshin gjetur rrugë të tjera dominimi në parti. Prandaj vendosi të dorëhiqej. Edhe Patozi është dakord me këtë akt, megjithëse edhe për të duket se Berisha është lideri më i mirë dhe i pazëvendësueshëm. Berisha bëri mirë që u dorëhoq, tha ai.

***

Patozi duket sikur nuk e kupton fare Berishën. Kjo shihet qartë ndërsa ai qahet se mënyra si u zhvilluan zgjedhjet bëri që të dalë një lider i paracaktuar. Shkurt Berisha kish caktuar pasardhësin e tij që do të qe Lulzim Basha. Dhe Patozi nuk kupton se përse Berisha duhej të zbatonte formulën ourelliane të Fermës së Kafshëve duke shpallur se kandidatët për kryetar të PD-së do të ishin të barabartë, por në fund doli se Basha do të qe edhe më i barabartë. Përse të shpenzoheshin energji të panevojshme duke rrezikuar të krijohej edhe një hendek mes demokratëve? – pyet naivisht Patozi. Përgjigjja është thuajse evidente dhe ilustrohet në shembuj të pafund përgjatë gjithë karrierës së Berishës. Ato dëshmojnë se për Berishën demokracia ka qenë përherë një gjethe fiku, një maskë për autokratizmin, për të justifikuar pushtetet e përjetshme dhe mungesën e rotacionit të lidershipit në PD, madje edhe në shtet e shoqëri. Edhe këtë herë autokrati i pandreqshëm Berisha, e keqpërdori “demokracinë” për të maskuar me vullnetin e 41 mijë demokratëve “të lirë” vullnetin e tij prej autokrati që kishte paracaktuar si pasardhës Lulzim Bashën. Pikërisht sipas modelit të autokratëve dhe diktatorëve, pikërisht si Enver Hoxha që paracaktoi si pasardhës Ramiz Alinë, si Çavezi apo Kastro caktuan pasardhësit e tyre. Dhe për këtë qëllim manipuloi deri edhe listat e demokratëve madje, sikundër pohon Patozi, ky demokrat i madh dhe xhahilët e tij, ushtruan edhe presion mbi zgjedhësit demokratë duke shkarkuar edhe njerëz nga puna. Në një parti të vërtetë demokratike pasardhësi nuk caktohet kështu.

 

***

Patozi e thellon naivitetin e tij (mendoj të stisur, sepse është vështirë të besosh që ai tani po konstaton mungesën e demokracisë reale në PD) kur thotë se “PD kishte nevojë për një garë reale, që do të thotë se anëtarësia vetë të zgjidhte liderin që ai të kishte një mandat të fortë dhe të kompensonte në një farë mënyre autoritetin e Berishës…”. Sepse pikërisht një gjë të tillë nuk do ta donte kurrë Berisha. Një lider i zgjedhur qartazi pa parapëlqimin e Berishës do të thoshte humbje e monopolit të Berishës mbi PD-në. Më shumë se çdo gjëje Berisha i trembet momentit kur në PD do të dalë një lider që të kompensojë autoritetin e tij në PD. Sepse Berisha do që ta ketë PD-në nën thundrën e tij, si mburojë të tijën para sfidave me të cilat do të përballet shumë shpejt. Është e vërtetë se në PD ka shumë demokratë që nuk duan të çlirohen prej Berishës si jo pak skllevër nga i zoti, por mbi të gjitha është Berisha që nuk do që PD-ja të çlirohet prej tij. Berisha e mburr “të bukurën e dheut” tamam si ai magjistari plak që e mban të mbyllur në kafaz.

***

Naiviteti i Patozit përshkallëzohet në paradoks n’sa pohon se megjithëqë zgjedhjet në PD ishin jo korrekte, Basha mbetet lider legjitim. Është njësoj si të pranosh si fitore legjitime atë të arritur me disa gola në pozicion jashtë loje. Por përse Patozi mendon kështu? Sepse, sipas tij, po të donte Berisha mund ta caktonte Bashën kryetar, edhe pa nevojën e një farse demokratike! Por nuk e bëri. Bah çfarë sakrifice paska bërë Berisha për hir të demokracisë! E paska përfillur atë dhe procedurat e saj të votimit edhe kur përfundimi qe thuajse i paracaktuar prej tij. Por a nuk ju kujton kjo disa lloj votimesh që ca dekada më parë organizonte në parti dhe në shtet një farë Enver Hoxha? Mos vallë dhe ai qe legjitim?

Gazeta “Shqip”

Top Channel