Kosovë, riatdhesohen emigrantët

27/07/2013 00:00

Mesatarisht, sipas të dhënave zyrtare, çdo vit në Kosovë kthehen nga
vendet e ndryshme perëndimore 5 mijë kosovarë, qoftë në mënyrë
vullnetare, ose të dhunshme.

Përfaqësues të të drejtave të njeriut në Kosovë thonë se autoritetet kanë dështuar në riatdhesimin e kosovarëve, derisa konsiderojnë se tendenca për të migruar është në rritje.

Sipas të dhënave zyrtare, brenda vitit në Kosovë kthehen nga vendet e ndryshme perëndimore mesatarisht 5 mijë kosovarë, qoftë në mënyrë vullnetare ose të dhunshme.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila koordinon procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar, që nga viti 2008 e deri më tani, vlerësohet se nga shtetet e Bashkimit Evropian janë riatdhesuar mbi 20 mijë persona.Kthimet, kryesisht janë bërë nga Gjermania, Suedia , Zvicra dhe Franca.

Ndërkohë, së fundi Hungaria ka kthyer 110 emigrantë kosovarë, të cilët ishin kapur nga autoritetet hungareze duke kaluar kufirin ilegalisht për në vendet tjera perëndimore.

Në Hungari po qëndrojnë edhe 500 emigrantë kosovarë që nënkupton se pritet kthimi i organizuar edhe i personave të tjerë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë kritikon mënyrën e kthimit të emigrantëve nga Hungaria.

Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se tendenca në rritje e kosovarëve për t’u larguar nga Kosova, është si pasojë e mosangazhimit të duhur të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë për të krijuar kushte më të mira për këta qytetarë.

Top Channel