Kryetari i Partisë Socialiste, njëherazi dhe Kryeministër i zgjedhur, Edi Rama, ka zhvilluar, gjatë orëve të pasdites, takimin e parë me një pjesë të aleatëve të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Pas takimit, i cili zgjati për mbi 60 minuta, Spartak Ngjela ka deklaruar se është rikonfirmuar marrëveshja mes palëve.

“Partitë ranë dakord, ai dha garanci politike për marrëveshjen dhe do të vazhdojmë me zbatimin e saj, ju marrëveshjen e keni”, u shpreh Ngjela.

Ndërkaq, Mark Frroku, deputeti i zgjedhur i Partisë Kristian-Demokrate, ka konfirmuar se, gjatë këtij takimi, është caktuar një koordinator mes Partisë Socialiste dhe aleatëve për të diskutuar lidhur me zbatimin e marrëveshjes.

“Kryeministri i ardhshëm, që do të jetë në detyrë në shtator, foli me ne për formën dhe mënyrën e qeverisjes, duke na porositur në lidhje me njerëzit, që do të punojnë në administratë. Kjo është e gjitha, nuk diskutuam absolutisht për kabinete apo konkretisht për vende. Një prej anëtarëve të koalicionit do të jetë koordinatori mes aleatëve dhe PS, ndërsa emri i tij do të bëhet i ditur në ditët në vazhdim”, tha Mark Frroku.

Nga ana e tij, Kryeministri i zgjedhur Edi Rama, pas përfundimit të takimit, nuk ka dashur të komentojë lidhur me atë se çfarë është diskutuar.

Top Channel