Tjetër tragjedi në motoçiklizmin italian. Andrea Antonelli ka ndërruar jetë në qendrën mjekësore pranë pistës së Moskës, pas aksidentit të rëndë që ndodhi në botërorin e Supersport.
Reshjet e shumta të shiut dhe shpejtësia e madhe, rreth 250 km/h, kanë bërë që piloti nga Perugia të humbasë kontrollin e motorit Kawasaki ZX-6R dhe të rrëzohet në pistë, ndërkohë që sipër trupit të tij ka kaluar dhe piloti tjetër italian, Lorenzo Zanetti, me motorin e tij Honda.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, dëmtimet e mëdha në kokë kanë bërë që Antonelli të ndërrojë jetë.
Gara është ndaluar menjëherë, ndërkohë që organizatorët kanë vendosur të shtyjnë për një datë tjetër edhe garën e dytë të Superbike.
Një aksident pothuajse i ngjashëm i mori jetën 2 vjet më parë në Sepang Marco Simoncelli-t, pilotit italian që garonte me Honda në Moto GP.
Top Channel