Ajo që deri më tani është cilësuar si “shfrytëzimi pa kriter i pyjeve”,
tashmë mund të konsiderohet një luftë e hapur ndaj tyre.

Pavarësisht se asnjë firmë nuk është licencuar për shfrytëzimin e pyjeve komunalë në rrethin e Devollit, duket se askush nuk ka forcën për të ndaluar prerjen e paligjshme të pyjeve.

Një makinë e ngarkuar me trupa drurësh është filmuar përgjatë rrugës Miras -Bilisht. Jo vetëm që prerja e pemëve behet hapur, por edhe transportimi i tyre duket se nuk eshte problem pasi gjatë gjithë rrugës nuk ka asnjë përfaqësues instancash që të veprojë dhe të verë në zbatim ligjin.

Prerjet masive të pyjeve janë evidentuar shpesh, por pavarësisht publikimit në media, askush nuk ka arritur ta frenojë këtë fenomen, pas të cilit fshihen fitime të mëdha për abuzuesit dhe shkelësit e ligjit. Rrezja e prerjes së paligjshme të pyjeve është duke u zgjeruar gjithmonë e më tepër në rajonin juglindor.

“Nuk ka asnjë firmë shfrytëzuese, e cila punon e licensuar ose ka lidhur kontratë me Drejtorinë e Shërbimit Pyjor, me institucionet e qeverisjes vendore ose me subjekte private, të cilat i kanë në pronësi këto pyje”, tha Luan Nushi, drejtor i Shërbimit Pyjor në Devoll.

Për të mbrojtur pyjet, Qeveria vite më parë vendosi kalimin e tyre në pronësi të komunave, në mënyrë që t’i përdornin ato për nevojat e tyre dhe të banorëve.

Por banoret e varfër të këtyre zonave nuk përfitojnë asgjë e madje janë ata të cilët gjobiten nga Policia Pyjore, kur kapen duke nxjerrë dru nga pylli për t’u ngrohur.  

Masakra e pyjeve nis nga Dardha, më tej në komunën e Vithkuqit e vijon me Devollin, ndërsa instancat hedhin përgjegjësinë tek njëra- tjetra, duke u lënë dorë të lirë.

“Të ndodhur përallë kësaj situate edhe ne e kemi të vështirë punën, sepse kemi të bëjmë me një numër të madh njerëzish, të cilët shkojnë, shkelin ligjin duke prerë në mënyrë të paligjshme”, thekson Nushi.

Sipas të dhënave gjatë muajit të fundit, në komunën Miras ku edhe situata është më problematike, janë vendosur 35 gjoba me një dëm të përllogaritur prej rreth 350 milione lekë të vjetra.

Top Channel