Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i premton shoqërisë civile se do ta shqyrtojë kërkesën për kthimin e ligjit për amnisti në rishqyrtim.

Të premten përfaqësues të OJQ-ve në Kosovë i dorëzuan presidentes Jahjaga peticionin me afro 13 mijë nënshkrime të qytetarëve, të cilët kanë kundërshtuar ligjin për amnisti, si dhe shkresën më vërejtjet që sipas shoqërisë civile i ka ky ligj.

Sipas drejtorit të institutit KIPRED, Ilir Deda, ligji për amnisti duhet të specifikohet në atë masë sa të qartësojë se amniston vetëm serbët të cilët kanë qenë bartës të institucioneve paralele të Serbisë në veri të Kosovës.

“Ligji amniston një kategori të gjerë të veprave penale dhe krimeve që janë kryer gjithandej Kosovës dhe suspendon ligjëshmërinë në pjesën tonë më të madhe”, ka deklaruar Deda.

Nga ana tjetër, lëvizja Vetëvendosje, e cila kundërshton në themel jo vetëm ligjin për amnisti por edhe marrëveshjen e 19 prillit në tërësi, kërkoi zyrtarisht interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin.

Në dallim nga shoqëria civile, e cila në parim pajtohet për amnistimin e serbëve në veri me qëllim integrimin e tyre, lëvizja Vetëvendosje mendon se amnistia duhet të jepet në një formë  tjetër.

“Jemi për amnistinë që ndaj personave që hetohen, gjykohen dhe dënohen, shteti të mund të tregohet human dhe t’i amnistojë. Pra, një pjesë e dënimit, 20%, 25% ose 30%. Mirëpo, ne kundërshtojmë fuqishëm ligjin aktual, i cili ka për qëllim amnistimin e personave nga ndjekja penale dhe vuajtja e plotë e dënimit”, ka deklaruar Haxhiu.

Këto aktivitete bëhen në kohën që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga do të duhej të nënshkruante ligjin për amnisti i cili me të marrë firmën e presidentes hyn në fuqi.

Më 11 korrik, deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 91 vota pro dhe 17 kundër miratuan në parim projektligjin për amnistinë, pas heqjes së nenit 3 të tij. 

Top Channel