Kukësi, në pritje të takimit

18/07/2013 00:00

Ka qenë një ditë intensive kjo për skuadrën e Kukësit, e cila vazhdon të qëndrojë e grumbulluar në periferi të Tiranës në prag të ndeshjes së parë për raundin e dytë eliminator të Europa League me skuadrën e Sarajevës.

Porositë e fundit i janë dhënë lojtarëve edhe nga presidendi Gjici, i cili takimin me skuadrën e ka filluar me dhënien e 2 milionë lekëve të reja si premio e kualifikimit të turit të parë.

Më pas, presidenti i Kukësit i ka kërkuar edhe një herë skuadrës një lojë të mirë si në dy përballjet e para dhe mbi të gjitha një lojë të ndershme: “Dua prej jush që të më bëni dhuratë një fitore me lojë të bukur dhe të ndershme. Mos e ngarkoni veten me presion. Luajmë para tifozëve tanë dhe duhet t’i kënaqim pasi do të jenë të shumtë në numër.”

Me gjithë dëshirën e mirë dhe punën e madhe që është bërë nga stafi teknik, trajneri Armando Cungu është i shqetësuar për formacionin e sotëm, pasi i është krijuar një tjetër boshllëk në mbrojtje. Kapiteni Hallaçi nuk do të luajë pasi është i sëmurë.

“Hallaçi është me temperaturë dhe nuk mund të luajë. Do të mundohemi të bëjmë rregullimet e duhura në formacion për t’i përballuar sa më mirë kundërshtarët. Ata janë shumë të mirë fizikisht dhe duhet të jemi të përgatitur. Të shpresojmë të na shpërblehet djersa që kemi derdhur në stërvitje”, theksoi trajneri.

Kështu, me një lloj formacioni të arrnuar, Kukësi prite të përballet sot në “Qemal Stafa” në orën 19:30 me Sarajevën. Sërish duket se interesimi ka qenë i madh për biletat, një interesim që sigurisht lidhet edhe me këtë paraqitje historike të skuadrës së Kukësit në arenën europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB